Kupa e Shqipërisë, drejt gjysmëfinales Partizani dhe Kukësi, barazon Tirana e Flamurtari

 

Tre ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë folën për Partizanin dhe Kukësin, që fituan me të njëjtin rezultat, 2-0, përkatësisht ndaj Laçit e Vllaznisë, duke hedhur nga një hap të sigurtë drejt gjysmëfinales. Tirana u ndal në barazim 2-2 me Apoloninë, duke e lënë të hapur kualifikimin për 90 minutat e fundit, që do të zhvillohen në Fier. Ndeshja e katërt çerekfinale mes Flamurtarit dhe Skënderbeut u zhvillua disa orë më vonë, pasditen e djeshme në Vlorë,dhe përfundoi në barazim 1-1. Ky rezultat ndihmon korçarët .

Tirana – Apolonia                            2-2

Swiss Digital Desktop Reklama

Kruja nuk priste sot Kastriotin e zakonshëm, sepse stadiumet kryeqytetase  “Qemal Stafa” dhe ai “Selman Stërmasi” janë në rikonstruksion, prandaj ishin bardheblutë mysafirë në qytetin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeu, ku pritën Apoloninë e Fierit, për përballjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja mes tyre  u mbyll në barazim 2-2, rezultat i vetëm surprizë, ndoshta për vetë Tiranën, që duket se po mendon më tepër mbi titullin kampion. Trajneri i Tiranës, Gugash Magani nuk nxori në fushë një pjesë të mirë të titullarëve si Muzaka, Ndikumana dhe Elis Bakaj. Duke përfituar nga këto mungesa, skuadra fierake e drejtuar nga trajneri Artan Mërgjyshi tentoi të marrë një rezultat pozitiv, pse jo për kualifikimin në gjysmëfinale. Dimo, Uzuni dhe Ribaj shfaqën rrezik në që në fillim në mbrojtjen e Tiranës. Pas disa përpjekjeve të ekipit fierak., në minutën e 29-të vjen dhe goli. Uzuni pasoi saktë për Andi Ribaj, i rikthyer gjatë dimrit nga Skënderbeu dhe i gjendur pambuluar përballë portierit Bakaj, dhe sulmuesi i Apolonisë realizon golin e parë.  Në minutën e 43-të talenti beratas i Apolonisë, Uzuni, shënon golin e dytë, madje spektakolar, duke befasuar  24-herë kampionët e vendit. Por Tirana nuk mund të pajtohej me këtë rezultat, ndaj edhe pjesa e dytë nis më ndryshe. Pa filluar mirë kjo pjesë loje, Mario Morina shkurtoi diferencën dhe në 62’ Karabeci barazon shifrat në 2-2. Për nga mënyra si shkoi loja, barazimi ishte rezultati më i drejtë, pasi Ribaj pati rast të kalonte Apoloninë në avantazh, sikurse Morina në fund të ndeshjes, për t’i dhënë ekipit të tij fitoren. Pas këtij rezultati, ndeshja e kthimit në Fier do të vendosë ekipin që do të kalojë në gjysmëfinale, por Apolonisë i mjafton edhe një barazim pa gola, apo qoftë edhe 1-1, çka do të thotë se Tiranës i duhet medoemos fitorja, ose të shënojë një barazim me më shumë se dy gola.

Swiss Digital Mobile Reklama

Vllaznia – Kukësi                             0-2

Kukësi nuk e vë në diskutim derbin e veriut, nuk e njeh historinë dhe madje këtë sezon as Vllazninë e traditës së madhe në futboll. Verilindorët e drejtuar nga Artim Shaqiri korrën fitoren e katërt radhazi në po kaq ndeshje, ndaj Vllaznisë, madje fituan 2-0 brenda në “Loro Boriçi”, duke dhënë edhe një leksion se investimet dhe financat triumfojnë para traditës.  I zakonshmi, kroati Pero Pejiç, pas një krosimi të mbrojtësit Dritan Smajli, zhbllokoi rezultatin që në 2’. Kur Vllaznia tentoi të barazonte madje pati një rast ideal me uruguaianin Soza, vjen goli i dytë. Në 10’, Kukësi fiton një 11-metërsh, pas një faulli të shkaktuar në zonën shkodrane dhe Lushtaku dyfishon shifrat. Soza e Gilman Lika tentuan në minutat e mbetura të shkurtonin diferencën, por rastet e tyre u shpërdoruan, ndërsa Kukësi e mbylli me avantazhi9n 2-0 ndeshjen e parë çerekfinale dhe pret i qetë Vllazninë në kthim, për të prerë një biletë, për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Fushë-Krujë, Partizani – Laçi 2-0

Për shkak të mungesës së një stadiumi në Tiranë, Partizani e priti Laçin në  Fushë-Krujë, por edhe pse në fushë asnjanëse, siguroi një fitore të pastër të bukur dhe premtuese.  Goli vjen menjëherë, që  në minutën e 8-të, me anë të Fazlliut, i cili nuk gabo para portës kundërshtare.  Por për të gjetur qetësinë, Partizanit i duhej edhe një gol tjetër dhe nuk vonon shumë. Dorian Bylyklbashi, që i ndëshkoi laçianët dy javë më parë në kampionat, në barazimin 1-1, në 16’ gjen edhe golin e dytë. Gjatë gjithë minutave të mbetura, Laçi nuk kishte fuqi për të reaguar dhe çarë mbrojtjen e hekurt të Partizanit dhe aq më pak të shënonte në rrjetën e mbrojtur nga portieri Alban Hoxha. E kësisoj partizani administroi rezultatin dhe kërkoi të shënonte golin e tretë. Gjithsesi, kjo fitore i jep shanse të mëdha Partizanit, që të kalojë edhe 90 minutat e mbetura të kupës në Laç, për të prerë një biletë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Flamurtari – Skënderbeu             1-1  

Paqe në Vlorë, mes ekipit vendas të Flamurtarit dhe Skënderbeut. Trajneri i Skënderbeut Mirel Josa, kundër Flamurtarit, bëri disa ndryshime, për shkak  të mungesave në mbrojtje e mesfushë . Për vendasit debutoi francezi Buval, i ardhur gjatë merkatos së dimrit. Trajneri italian Ernestino Ramela kërkonte ta fitonte ndeshjen, si e vetmja mundësi që skuadra e tij të jetë brenda objektivit, duke aktivizuar  formacionin më të mirë që ai ka në dispozicion. Pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola, me një farë epërsie të ekipit vlonjate. Nikoliç zhbllokoi rezultatin në pjesën e dytë, në 60’ dhe du duke se Flamurtari do ta fitonte ndeshjen, por ndodhi në 78’ gjyqtari akordoi një 11-metërsh në favor të miqve. Kapiteni Bledi Shkëmbi nuk gabon dhe Skënderbeu barazon shifrat në 1-1. Me këtë barazim korçaret kthehen dhe presin më të qetë ndeshjen e kthimit.     

 

Çerekfinalet e para – Kupa e Shqipërisë – Sot

Partizani-Laçi                                     2-0

Shënues: Fazlliu 9’, Bylykbashi 17’

Tirana-Apolonia                                 2-2

Shënues:  Morina 49’ Karabeci 62’/ Ribaj 29’ Uzuni 43’

Vllaznia-Kukësi                                  0-2

Shënues: Pejiç 2’, Lushtaku 9’

Flamurtari-Skënderbeu                      1-1

Shënues: Nikoliç  60’/ Shkëmbi 77’ (11-m)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?