KUPA/ Tirana “shuplakë” Besëlidhjes, Kukësi fiton në “frymën e fundit” në Fier

Kupa e Shqipërisë ka rezervuar emocione dhe shumë gola në ndeshjet e para të raundit çerekfinal. Tirana ka konfirmuar momentin magjik edhe turneun e dytë, duke hedhur një hap drejt gjysmëfinales pas fitores 5-1 në duelin e parë kundër Besëlidhjes së Lezhës.

Kryesuesit e Superligës e nisën në “malore” duelin në “Selman Stermasi”. Në minutën e 12-të, pas një aksioni të gjatë, Hoxha përfiton nga përgjumja e mbrojtjes bardheblu, teksa me veprim të bukur nxjerr jashtë loje dy mbrojtës dhe më pas e dërgon topin në rrjetë. Bardheblutë reaguan mjaft mirë duke përmbysur rezultatin që në fraksionin e parë. Batha fillimisht nga pika e bardhë dhe Cale ishin autorët e golave. Në fraksionin e dytë Torassa, sërish Cale dhe më pas Sidibe vulosën shifrat 5-1, duke hedhur një hap të sigurt drejt turit tjetër.

Kukësi vijon të vuajë edhe në Kupë, teksa do të merrte një sukses të vuajtur 2-1 kundër Apolonisë. Në Fier, skuadra verilindore kaloi e para në avantazh me Cooper në minutën e 33-të, por në fraksionin e dytë vendasit vendosën baraspeshën me Ekeminin. Në minutën e tretë të shtesës, Bruno Lulaj shënoi një gol që do të ketë shumë vlerë për duelin e kthimit.

Surprizë mund të cilësohet humbja e skuadrës më në formë të momentit, Skënderbeu, që u mund minimalisht 1-0 nga Bylis. Golin e vetëm të ndeshjes do ta shënonte Bajramaj me një goditje të saktë në hyrje të zonës së korçareve. Skuadra e Ilir Dajës do të ketë një mision të vështirë për të përmbysur këtë humbje.

Hysen Dedja ka debutuar me një barazim 2-2 ndaj Teutës nën drejtimin e Vllaznisë. Në “Loro Boriçi”, do të ishte Zogaj që do të realizonte që në minutën e 7-të. Në të 21-n, Hygor nga pika e bardhë dyfishoi rezultatin, por talenti i Teutës, Kallaku rihapi ndeshjen. Në minutat shtesë Kapllani shënoi edhe golin e barazimit. Duke përjashtuar Tiranën, të gjitha ndeshjet mund të cilësohen të hapura në duelet e kthimit. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

 

SHKARKO APP