Kuqezinjtë në stërvitje, Uzuni e Ndoj: Në fushë veç për fitore

Kombëtarja kuqezi, të hënën kreu seancën e parë stërvitore për dy ndeshjet kualifikuese të Europianit kundër Andorës të enjten dhe kundër Francës tre ditë më pas. Ndeshja e parë do të luhet në ”Elbasan Arena”, më 14 nëntor, ndërsa tjetra në stadiumin e ri të kryeqytetit ”Air Albania”. Për këto dy sfida kanë folur dy lojtarë të kombëtares, Emanuele Ndoji dhe Myrto Uzuni, të cilët janë të rikthyerit e Edi Reja-s. Të dy futbollistët shprehen optimist për këto përballje. Sulmuesi Uzuni u shpreh se nuk ishte ndjerë mirë për mungesën në dy sfidat e kaluara.

”Ndihem mirë, pasi me skuadrën time kam luajtur çdo ndeshje nga 90 minuta, kam asistuar kam shënuar. Besoj se jam në formë të mirë. Dua të luaj në të dyja ndeshjet, por si fillim duhet t’i tregoj trajnerit në stërvitje se jam i gatshëm. Nuk jam ndier mirë që nuk u grumbullova, por jam shumë i lumtur që u riktheva. Trajneri e pa që po bëja mirë në klubin tim, ndaj më thirri. Nuk kërkoj sqarime, sepse trajneri nuk mund t’i japë llogari lojtarit pse nuk e thërret. Konkurrenca, edhe në sulm, ku luaj unë, i bën mirë ekipit. Lojtarët japin maksimumin për të merituar formacionin”.

Edhe pse kthyer të luajë me Brescian tashmë në elitën e futbollit italian Serie A, Emanuele Ndoj e pranon se nuk ka ende 90 minuta në këmbë. Mesfushori i talentuar i pranishëm në konferencë për shtyp bashkë me Uzunin, nënvizoi se kombëtarja shqiptare i ka munguar shumë gjatë këtyre muajve të fundit.

”Kam qenë 3 muaj jashtë dhe tani kam nisur të stërvitem dhe luaj me ekipin. Tani jam më mirë sepse kam luajtur 2 ndeshje në Serie A. Mund të kem 70 minuta në këmbë dhe tani duhet të shohim në stërvitje. E di trajneri. Më ka munguar Kombëtarja dhe do të jap gjithmonë 100% në fushë. Konkurrenca është e mirë në skuadër sepse të bën të japësh 100% për t’i treguar trajnerit se je gati dhe i bën mirë çdo lojtari. Andorra? Ne jemi lojtarë të kombëtares dhe mendojmë ndeshjen e radhës. Jemi përqendruar vetëm te Andorra. Është ndihmë të kemi tifozë sepse i janë ekipit forcë dhe dua që të thërras edhe për ndeshjen në Elbasan sepse kemi nevojë kundër Andorrës. Më vonë mendojmë për Francën”.

UEFA ka caktuar edhe arbitrat për ndeshjen me Andorën që do të jenë një katërshe nga Estonia me kryesor Kristo Tohver. Ndërkohë tre futbollistët të cilët rrezikojnë të humbasin sfidën me Francën në rast se ndëshkohen me të verdhë janë Keidi Bare, Kastriot Dermaku dhe Taulant Xhaka.

SHKARKO APP