Kuqezinjtë që u shpallën kampionë me klubet e tyre, nga Australia në Zvicër
Sezoni 2014-2015 ishte tejet pozitiv për shumë futbollistë të kombëtares sonë që luajnë në kampionate të ndryshme të botës.
Futbollistë të kombëtares sonë si Sokol Cikalleshi, Bekim Balaj, Andi Lila, Elseid Hysaj, Alban Meha, Mërgim Mavraj, Emir Lenjani e nisën sezonin me klube të njohura evropiane si në Kroaci, Itali, Francë e Gjermani, në radhët e të cilave shënuan edhe gola me peshë. Por disa lojtarë të tjerë shqiptarë që aktivizohen me skuadra të ndryshme evropiane apo edhe më gjerë, mundën të fitonin këtë vit titullin kampion.
Shkëlzen Gashi, sulmuesi i kombëtares kuqezi fitoi titullin e tij të parë në Zvicër me Baseli, në një sezon ku ai ishte protagonisti kryesor i skuadrës së drejtuar nga Paulo Sousa. Me 21 golat e realizuar nga 26-vjeçari i kombëtares sonë fitoi edhe trofeun e “Këpucës së Artë” në ligën elitare të futbollit helmet, trofe që e fiton për të dytin vit radhazi. Falë golave të Gashit Basel u shpall matematikisht kampion 3 javë përpara fundit të kampionatit. Titullin kampion me të njëjtin ekipiiu gëzuan edhe dy lojtarë të tjerë të kombëtares sonë, Taulant Xhaka dhe Arlind Ajeti.
Besart Berisha në Australi me Melbourne Victory mbylli një sezon tjetër të shkëlqyer. Me 15 golat e 29-vjeçarit dhe sidomos ai i realizuar në finalen “Play-off” ndaj Sydney Fc i hapën rrugën drejt fitimit të titullit kampion skuadrës së Melbourne Victory. Ish-sulmuesi kuqezi Berisha në 4 sezonet e fundit në Australi, ka fituar 3 kampionate.
Ansi Agolli dhe Admir Teli u shpallën për të dytin sezon radhazi kampion të Azerbaxhanit me skuadrën e tyre Qarabag duke rezultuar vendimtarë në suksesin e radhës të ekipit të tyre. Titullin kampion e fitoi edhe Xhevair Sukaj në Iran, në sezonin e tij të fundit me skuadrën e Sepahan. Sulmuesi shkodran mori në duar edhe njëherë tjetër trofeun e kampionit.
Talentë të futbollit shqiptar Endri Çekiçi, Enis Gavazaj dhe Qazim Laçi, gjithashtu korrën sukses me klubet e tyre. Çekiçi në debutimin e tij me Dinamon e Zagrebit këtë sezon fitoi titullin në Kroaci, ndërkohë Gavazaj dhe Laçi edhe pse për pjesën më të madhe të sezonit kanë qenë pjesë e skuadrave të të rinjve fituan kampionatet respektive me Gent në Belgjikë dhe Olympiacos në Greqi.
KOHA JONË SONDAZH

