Kursi i përgatitësit atletik, Javier Zanetti jep një mesazh për FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në fillim të muajit dhjetor kursin e përgatitësit atletik. Drejtuesi i këtij kursi do të jetë përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare të futbollit, Luigi Febbrari.

Një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër.

Përmes një video-mesazhi këtë iniciativë të Federatës e ka përshëndetur edhe ish-futbollisti i famshëm i Argjentinës dhe Interit, Javier Zanetti, i cili ka shpjeguar posaçërisht për FSHF.org edhe rëndësinë e rolit të përgatitësi atletik për një skuadër futbolli në ditët e sotme.

“Përshëndetje të gjithëve! E vlerësoj shumë faktin se në Shqipëri po organizohet ky kurs, sepse mendoj që përgatitja fizike është një aspekt shumë i rëndësishëm për të gjithë sportistët”, thotë Zanetti në mesazhin e tij.

Kujtojmë se sipas rregullores së re të miratuar nga FSHF, në çdo skuadër futbolli do të ketë një përgatitës atletik në stafin e një skuadre, por edhe në stolin e saj teknik.

SHKARKO APP