Kylian Mbappe mund të largohet vetëm me 100 mln euro
I ri, i fortë, dhe një dëshirë e madhe për klubet e mëdha në Europë. Kylian Mbappe e ka botën në këmbët e tij. Paris Saint-Germain e ka përzgjedhur atë si idhullin e tifozerisë, por përvoja parisiene mund të jetë drejt fundit. Real Madrid po përgatitet për një tjetër sulm për të rrëmbyer sulmuesin francez.
Një aspekt i bujshëm lidhet me faktin se ai mund të braktis PSG vetëm për 100 milionë euro. Një çmim që duke marrë parasysh shifrat e futbollit modern dhe vlerën e futbollistit, mund të përfaqësonte një goditje të madhe për këdo që do të dëshironte një futbollist të klasit të tillë.
Sipas gazetës franceze “L’Equipe”, gjithçka do të varet edhe nga rinovimi i kontratës, pasi aktualisht marrëveshja mes PSG dhe kampionit të botës skadon në vitin 2022, teksa palët nuk po gjejnë një marrëveshje për rinovimin. Në këto kushte vështirë se mund të kërkohet më shumë se 100 milionë euro, kur mbetet vetëm një sezon.
PSG nuk është një klub me probleme financiare, por nuk mund të lejojë largimin e Mbappe me një çmim të tillë, duke marrë në konsideratë se vlera e tij e vërtet mund të arrijë në 250 milionë euro. Nuk përjashtohet as mundësia që skuadra franceze ta mbajë deri në fund të kontratës, dhe më pas ta lërë të lirë me kosto zero, por sigurisht që kostoja financiare do të ishte shumë më e madhe. /R.Lika-Koha Jone/