La lojtarin në fushë me dy kartonë të verdhë, gafë e rëndë e arbitrit kosovar në Europë
Një ngjarje e rrallë dhe që ka krijuar polemika ndodhi të enjten në Hungari, gjatë sfidës mes Gyorit dhe Pyunikut, e vlefshme për raundin e dytë të UEFA Conference League. Ndeshja u drejtua nga gjyqtari kosovar Mervan Bejtullahu, i cili u përfshi në një episod të pazakontë që ka ngritur polemika në mediat ndërkombëtare.
Gyori siguroi kualifikimin në turin tjetër pas fitores 3-0, me golin e fundit të realizuar nga kroati Daniel Shtefulj në minutën e 90-të. Festimi i tij entuziast, duke hequr fanellën, i kushtoi një karton të verdhë.
Por pak minuta më vonë, situata u tensionua kur Shtefulj ndërhyri ashpër ndaj një kundërshtari, duke e goditur me këmbën e ngritur në fytyrë, veprim që i solli edhe një karton të dytë të verdhë.
Në kushte normale, kjo do të nënkuptonte përjashtim me të kuq, por për habi, mbrojtësi kroat vazhdoi të qëndronte në fushë. Bejtullahu u pa i pasigurt në momentin e ndërhyrjes dhe, pas konsultimeve me asistentët, nuk e nxori lojtarin jashtë loje.
Sipas raportimeve të mediave kroate dhe dokumentacionit zyrtar të UEFA-s, gjyqtari ka ngatërruar numrat e fanellave: në vend që t’i jepte kartonin e dytë Shtefuljit, që mbante numrin 23, e regjistroi gabimisht si faull të Dejan Boldor, i cili kishte numrin 25. Si pasojë, kartoni i dytë i verdhë u regjistrua në emër të lojtarit të gabuar, duke lejuar që Shtefulj të vazhdonte ndeshjen.
Ky gabim ka ngjallur debat dhe pritet të sjellë reflektime të UEFA-s mbi cilësinë e arbitrimit, duke qenë se një vendim i tillë mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes nëse rezultati nuk do të ishte i thellë.
KOHA JONË SONDAZH

