Laçi bëhet makth për Vllazninë, e mund edhe në Shkodër dhe rihap kampionatin
Laçi konfirmohet si “mace e zezë” për Vllazninë. Skuadra e Duros ka arritur një fitore fantastike 2-1 në “Loro Boriçi” ndaj kryesuesve të kampionatit. Kjo në fakt ishte humbje e tretë sezonale për kuqeblutë, dy prej të cilëve kanë ardhur nga laçianët. Ndeshja nisi më mirë për Vlllazninë që dha sinjalin e parë në minutën e 17-të me Dilaver, i cili provoi me një goditje brenda zonës që u neutralizua mjaft mirë nga Sherri. Në minutën e 24-t, Herald Marku dëmtohet te Vllaznia, teksa detyrohet të lërë fushën e lojës për debutuesin Kalezic. Me kalimin e minutave kurbinasit fitojnë më shumë besim, teksa në fundin e fraksionit të parë Redon Xhixha ka një mundësi të mirë shënimi në zonë, por do të ndalej pas ndërhyrjes së Gurishtës.
Fillimi i pjesës së dytë nisi më mirë për Laçin që krijoi menjëherë dy shanse shënimi me Xhixhën, por në të dyja rastet ishin tentativa të gabuara. Në minutën e 59-të, skuadra e Shpëtim Duros, do të kalonte në avantazh. Shehu rrëmbeu një top ndaj Kalezic dhe më pas shërbeu për Nwabueze-n, i cili arrin që të mposht portierin Sherri. Vllaznia reagon shumë shpejt, teksa do të barazonte pas vetëm 7 minutash. Krujë tenton me një goditje nga jashtë zonës që ndalet nga shtylla dhe më pas shkon në këmbët e Imerit, që e ka të thjeshtë për ta shtyrë në rrjetë.
Ky gol sjell entuziazëm në skuadrën e Brdaric, që hidhet në kërkim të golit të avantazhit, por lë hapësira në prapavijë. Pikërisht në një aksion të tillë, Van Dave është shumë i shpejt, duke arritur që të rikthejë Laçin në avantazh në minutën e 72-të. Një gabim i Sherrit në minutën e 77-të, do ti kushtonte kurbinasve shumë, pasi do të mbeteshin me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Obanor. Në avantazh numerik Vllaznia hidhet e gjitha në sulm në kërkim të golit të barazimit dhe përmbysjes, teksa Brdaric hodhi në fushë edhe Avdijaj. Pas kësaj humbje, kueqblutë vijojnë të mbeten në krye me 37 pikë, por tashmë ka një diferencë vetëm prej 7 pikësh nga Laçi. /Rozalb Lika-Koha Jone/