Laçi fiton dhe i shtyn festën e titullit Tiranës, Kastrioti bie në Korçë
Dygolëshi i Saliu Guindo i ka dhënë tre pikët Laçit në transfertën ndaj Egnatias duke blinduar pozitat në vendin e dytë, por në të njëjtën kohë, të shtyjnë festën e titullit për Tiranën, që nuk shkoi përtej barazimit 1-1 ndaj Teutës.
Në “Arena Egnatia” u zhvillua një sfidë shumë e luftuar, që u zhbllokua vetëm në pjesën e dytë me një devijim të lehtë, por perfekt të Guindo, që në minutën e 88-të shënoi edhe golin e dytë, duke vulosur suksesin për skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Duro.
Humbja e dytë radhazi për Egnatian që largohet me vendin e 7 të mbijetesës dhe sheh t’i afrohet Skënderbeu, ndonëse distanca është mjaft e madhe, kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në fund.
Kastrioti u mposht 2-0 në Korçë përballë Skënderbeut, duke prishur ecurinë fantastike prej shtatë fitoresh radhazi. Një ndeshje e dobët e Kastriotit, me një ritëm të ulët dhe pa grintën e zakonshme. Mensah në pjesën e parë me kokë dhe Belaidi Pusi në të 81-tën shënuan golat për Skënderbeun, që i kishte munguar suksesi në Superiore që nga 18 dhjetori i kaluar pikërisht përballë krutanëve.
KOHA JONË SONDAZH

