Laçi trondit Kukësin dhe afron Tiranën me titullin, Teuta “shuplakë” Luftëtarit (VIDEO)
Laçi i jep një dorë të mirë Tiranës për titullin kampion. Skuadra kurbinase ka fituar pastër 2-0 ndaj Kukësit në sfidën e javës së 30-të, duke rikthyer sërish diferencën prej 9 pikësh mes dy vendeve të para.
Në minutën e 35-të, pas një pasimi të Deliut nga krahu i djathtë, Regi Lushkja e dërgoi topin në fundin e rrjetës. Turkaj humbi një mundësi të artë për të dyfishuar avantazhin në fundin e pjesës së parë, ndërkohë që në krahun tjetër Ethemi nuk arriti të gjente golin në fillimin e pjesës së dytë. Laçi nuk do të ndalej, teksa në minutën e 71-të do të shënonte golin e dytë me Adolf Sermanin që shënoi me kokë pas një goditje nga këndi.
Teuta respekti pritshmëritë duke marrë një fitore pa shumë probleme 5-1 në transfertë ndaj Luftëtarit. Në Gjirokastër, Hebaj zhbllokoi rezultatin në fillimin e pjesës së dytë. Haxhiu barazoi për vendasit, por Kallaku do të shënonte tri gola të tjerë, duke merituar topin pas ndeshjes. Në fund kishte kohë edhe për një gol të Avdylit te ekipi durrsak.
Bylis mori një fitore të rëndësishme minimale 1-0 ndaj Skënderbeut. Goli i vetëm u shënua në sekondat e fundit të kohës shtesë me penallti nga Isli Hidi. /R.Lika-Koha Jone/