Lahm: Bayern në Champions ka rivalë Realin, Barcelonën e Chelsea
Objektivi i Bayern Mynih këtë sezon është të triumfojë në Uefa Champions League, pasi titulli i 25-të kampion në Gjermani po troket. Skuadra e Pep Guardiolës barazoi 0-0 në sfidën e parë të 1/8-ave përballë ukrainasve të Shaktar Donetsk, por Bayerni e pret ndeshjet e dytë, me shanse të mëdha kualifikimi për në çerekfinale pasi do ta presë formacionin e Lucescut në Mynih. Sezonin e kaluar bavarezët e eliminuan në gjysmëfinale nga Reali i Madridit por edhe këtë sezon frika më e madhe e tyre është pikërisht përballja me një skuadër spanjolle. Sipas kapitenit Philip Lahm i cili aktualisht po riaftësohet nga një dëmtim i rëndë kërcënimet më të mëdha për Bayernin në këtë edicion të Championsit janë Reali i Madridit, Barcelona dhe Chelsea. – “Edhe pse u mund me rezultatin 4-0 nga Atletico e Madridit, Reali vazhdon të impresionojë sidomos në Champions. Barcelona gjithmonë është e rrezikshme ndërkohë që pas tyre vjen Chelsea që kryeson bindshëm në Premier League.” Nga ana tjetër Lahm foli edhe për stilin e lojës që aplikon Bayerni i Pep Guardiolës, që është kritikuar shumë në Gjermani pasi konsiderohet shumë rrezikshëm. Kritikat kanë ardhur pikërisht pas disa rezultateve negative që kanë regjistruar bavarezët në fillim të vitit 2015 në Bundesligë. – “ Këto diskutime janë tërësisht të panevojshme. Ky sistem loje ka funksionuar në perfeksion për 18 muaj me radhë. Një humbje me shifrat 4-1 përballë Wolfsburgut nuk mund të hedhë poshtë të gjitha ato që kemi arritur.” Në fund Lahm shpejgoi edhe arsyet se përse e komunikoi kaq shpejt vendimin e tij për tu tërhequr nga futbolli i luajtur në vitin 2018. – “Një ditë gjithçka do të përfundojë dhe unë dua të jem i përgatitur në momentin që do të vijë ajo ditë. Nuk mund ta përjashtoj mundësinë se mund të vazhdoj të luaj edhe pas vitit 2018 nëse do të jem në formë të mirë. Megjithatë në atë periudhë do të jem 34 vjeç dhe për vetë faktin se ndodhem në një klub të madh si Bayern ku kërkesat janë gjithmonë maksimale ishte më mirë për mua ta komunikoja datën e tërheqjes nga futbolli,” – theksoi Lahm.
KOHA JONË SONDAZH

