Lajme fantastike nga Lazio, Strakosha shmang operimin në gju
Thomas Strakosha nuk do të operohet në gju. Portieri shqiptar duhet të qëndrojë pushim deri në fillimin e javës së ardhshme për shkak të dëmtimit në gju, por nuk do t’i duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të rikuperuar dëmtimin.
Ky është verdikti i klubit dhe stafit shëndetësor të Lazios, ku janë të bindur se mund ta zgjidhin problemin vetëm me pushim dhe më pas me fizioterapi. Situata e portierit shqiptar gjithsesi mbetet në monitorim ditë pas dite, por për momentin ndërhyrja kirurgjikale duket një opsion absolutisht i panevojshëm.
Përtej gjendjes fizike drejtuesit po mendojnë edhe për kontratën e tij. Marrëveshja aktuale që e lidh me Lazion përfundon në qershorin e vitit 2022 por deri më tani nuk ka nisur asnjë negociate për rinovimin.
Në këtë sesion të shkurtër të merkatos kanë qarkulluar edhe zëra për një shitje të mundshme, por Lazio dhe Drejtori Sportiv Igli Tare nuk kanë aspak ndër mend ta shesin, aq më tepër tani kur merkatoja është në drejt mbylljes.