Lajme te mira për Bayernin, Musiala drejt rikthimit në fushë pas 6 muajsh
Bayern Munich merr sinjale pozitive në një moment kyç të sezonit. Jamal Musiala është gati të rikthehet në dispozicion të skuadrës, plot gjashtë muaj pas dëmtimit serioz të pësuar gjatë Botërorit për Klube, ku pas një përplasjeje me Gianluigi Donnarumma kishte thyer fibulën. Lajmi u konfirmua nga trajneri Vincent Kompany në konferencën për shtyp para sfidës së Bundesligës ndaj Leipzigut.
Tekniku belg u shpreh i bindur se rikthimi i talentit gjerman është shumë pranë: “Nëse gjithçka shkon sipas planit, ai do të jetë me skuadrën. Është diçka e jashtëzakonshme. Jamal transmeton energji shumë pozitive dhe tani vlerëson edhe gjërat më të vogla. Po e shijon këtë fazë, ashtu si Alphonso Davies. Prioriteti ynë është integrimi i tyre i kujdesshëm”.
Kompany theksoi se periudha e gjatë jashtë fushave i ka shërbyer Musialës për të punuar në aspektin fizik, duke rindërtuar forcën, lëvizshmërinë dhe shpejtësinë. Sipas tij, një dëmtim i tillë nuk përfaqëson domosdoshmërisht një hap prapa: “Ndonjëherë është një hap përpara”, nënvizoi ai.
Trajneri i Bayernit garantoi mbështetje të plotë nga stafi teknik dhe mjekësor, duke shtuar se rikthimi i Musialës dhe Davies mund të rezultojë vendimtar në luftën për trofe.
KOHA JONË SONDAZH

