Laporta: Do bëjmë gjithçka për të mbajtur Messin, na sjell 30% të të ardhurave!
Ish-presidenti i Barcelonës dhe njëkohësisht kandidati kryesor për të rimarrë drejtimin e katalanëve në zgjedhjet e marsit, Joan Laporta u ndal të flasë sërish për të ardhmen e yllit argjentinas Lionel Messi.
Në një intervistë të dhënë për Sky Sport, Laporta deklaroi se do të bëjë gjithçka për të bindur Messin të qëndrojë te Barcelona deri në fund të karrierës, duke shtuar edhe se e di mirë çfarë oferte duhet t’i bëjë argjentinasit.
“Janë shumë klube që duan të marrin Messin dhe shërben një ofertë mjaft interesante për ta mbajtur në ekip, megjithatë unë do të bëj maksimumin për ta bindur të qëndrojë te Barcelona. Paratë janë të rëndësishme, por nuk garantojnë tituj, ndaj nuk vlen vetëm shifra e ofruar. Messi dëshiron të fitojë dhe për të rinovuar ka nevojë për një projekt ambicioz, përveçse për para.
Kostoja e Messit për Barcelonën është sa 8% e totalit, por nga ana tjetër ai sjell 30% të të ardhurave të klubit. Në këtë këndvështrim, paga e Messit nuk mund të jetë kurrë një problem për klubin. Nëse pyet një fëmijë se cili është më i miri në botë, do të thotë Messi pa u menduar dhe kjo është më e rëndësishme”, deklaroi Joan Laporta.