Laporta e konfirmon, do të ketë statujë për Messin në Camp Nou
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka bërë të ditur se klubi katalanas po përgatitet t’i bëjë një homazh të veçantë Lionel Messit, përmes ndërtimit të një statuje në nder të tij. Nëse projekti miratohet, statuja e yllit argjentinas do të vendoset në Spotify Camp Nou, krah atyre të legjendave Johan Cruyff dhe László Kubala, duke u bërë kështu e treta në kompleksin e stadiumit.
“S do të donim shumë që Messi të kishte statujën e tij. Jam i bindur se të gjithë tifozët e Barcelonës do të ishin të entuziazmuar ta shihnin atë pranë figurave më të mëdha në historinë e klubit,” deklaroi Laporta.
Ai shtoi se beson se Messi, pas përfundimit të aventurës së tij te Inter Miami, do të mbetet i lidhur me klubin: “E dimë që dyert janë gjithmonë të hapura për të. Respekti dhe admirimi ynë për Leo është i pakufishëm. Ai meriton nderimin më të bukur në botë.”
Laporta bëri të ditur se brenda këshillit drejtues ekziston bindja se Messi meriton edhe më shumë: “Duhet të ketë një statujë në Spotify Camp Nou, ashtu si Cruyff dhe Kubala. Do të ishte e drejtë që Leo të kishte të tijën, sepse është një lojtar i jashtëzakonshëm që ka lënë gjurmë te të gjithë ne. Po punojmë për këtë projekt, por natyrisht, gjithçka do të bëhet në dakordësi me familjen. Kur ta kemi projektin final, do ta prezantojmë.”
KOHA JONË SONDAZH

