Laporta i propozon rinovimin Messit, por argjentinasi kërkon kohë
Lionel Messi ka dhe tre muaj nga përfundimi i kontratës me Barcelonën, por Joan Laporta është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbajtur 33-vjeçarin në klub.
Ky është një nga objektivat e presidentit më të ri të klubit “blaugrana”. Laporta është dakord të ulet në tavolinë me Messin dhe të pranojë çdo kusht të tij. Ai beson se duke mbajtur argjentinasin dhe duke bërë disa blerje të mëdha, do e risjellë Barcelonën në majat e futbollit europian.
Marrëdhënia Laporta-Messi është shumë e mirë, por i mbetet “pleshtit” të vendosi se ku do dojë të përfundojë vitet e fundit të karrierës së tij: dëshiron të qëndrojë në “Camp Nou” apo të provojë një eksperiencë të re.
Të dyja palët janë në pritje të takimit javët e ardhshme, por Messi nuk do të marrë një vendim përpara përfundimit të sezonit.