Laporta: Yamal është një gjeni, rikthimi i Messit një hipotezë jorealiste!
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dalë në mbrojtje të Lamine Yamal, talentit të jashtëzakonshëm që shpesh është në qendër të vëmendjes për sjelljen e tij jashtë fushës. Në një intervistë për Catalunya Radio, Laporta ka folur me superlativa për 17-vjeçarin, duke theksuar pjekurinë dhe profesionalizmin e tij.
“Yamal e shijon jetën dhe futbollin. Është shumë më i pjekur për moshën që ka, më shumë se shumë të rinj të tjerë. Nuk më shqetëson mënyra e tij e jetesës. Ka nevojë të mbrohet dhe të mbështetet, nga ne dhe nga njerëzit përreth tij. Është një gjeni, më i forti në rolin e tij,” u shpreh Laporta.
Numri një i klubit katalanas shtoi se Yamal po përballet me një problem të lehtë fizikal: “Vuan nga pubalgia, por është për t’u admiruar fakti që po luan edhe gjatë fazës së rikuperimit. Është profesionist i madh, stërvitet më shumë se kushdo tjetër dhe menaxhon shumë mirë gjithçka. Nuk ka arritur ende kulmin e tij. Jam shumë i lumtur me të,” theksoi Laporta.
Në lidhje me polemikat me Federatën Spanjolle, për mungesën e Yamal në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Spanjës, presidenti i Barcelonës sqaroi: “E kemi njoftuar menjëherë federatën sapo mjekët tanë na informuan për gjendjen e tij. Nuk duam polemika. Duam vetëm që lojtari ynë të shërohet siç duhet. Pushimi i tij përkon me periudhën e kombëtareve dhe kjo nuk ndikon në kualifikimin e Spanjës, që tashmë është i sigurt.”
Laporta komentoi gjithashtu edhe zërat për një rikthim të Lionel Messit te Barcelona: “Për respekt ndaj tij, nuk dua të bëj hipoteza jorealiste. Nuk do të ishte e drejtë.”
KOHA JONË SONDAZH

