Laporta zbulon pse u refuzua emri i Messit për të riemërtuar stadiumin e ri
Diskutimet mbi një rikthim simbolik të Lionel Messit në Barcelonë janë ndezur sërish pas vizitës së fundit të yllit argjentinas në ish-shtëpinë e tij sportive. Prania e tij në ambientet e klubit ka emocionuar tifozët, ndërsa drejtuesit blaugrana kanë konfirmuar se po përgatitet një homazh i rëndësishëm në nder të tij.
Gjatë forumit “Barça: mes historisë dhe së ardhmes”, organizuar nga La Vanguardia, presidenti Joan Laporta bëri të ditur se klubi ka në plan ndërtimin e një statuje për lojtarin që, sipas tij, ka qenë më i miri në historinë e Barcelonës. Laporta shtoi se një moment i tillë do të ishte edhe më domethënës në një stadium të mbushur me 105 mijë tifozë.
Presidenti zbuloi gjithashtu se bordi drejtues kishte diskutuar edhe një opsion tjetër: riemërtimin e Camp Nou-t me emrin Lionel Messi. Ideja u hodh poshtë pasi, sipas Laportës, një nder i tillë i rezervohet zakonisht figurave që nuk jetojnë më.
“Messi ka kontratë me një klub tjetër dhe nuk dua të hap polemika. E kemi diskutuar brenda klubit, por e konsideruam të papërshtatshme që stadiumi t’i vendoset emri dikujt që është ende mes nesh”, deklaroi Laporta.
KOHA JONË SONDAZH

