Lazio bën një tjetër hap drejt Kumbullës, ofron një sulmues dhe 20 mln euro

Lazio nuk ka ndërmend që të heq dorë nga Marash Kumbulla. 10 ditë më parë klubi bardhekaltër pati një takim me presidentin e Veronës për të diskutuar për transferimin e futbollistit të kombëtares sonë te ekipi bardhekaltër.

Së fundmi, raportohet se drejtuesit e klubit kryeqytetas duan t’i ofrojnë Veronës sulmuesin e vet Andre Anderson, i cili është huazuar te Salernitana. Lajmi bëhet me dije nga media italiane “Tuttosport”, që shton se ky opsion shkëmbimi mes klubeve është mëse i realizueshëm. Lazio synon të paguajë 20 milionë euro dhe kartonin e sulmuesit.

Marash Kumbulla është kthyer në shënjestrën e shumë klubeve të mëdha, por prej disa javësh Lazio po intensifikon përpjekjet për ta blerë qendërmbrojtësin 20-vjeçar. Inter dhe Juventus nuk janë dorëzuar, teksa nuk mund të përjashtohet mundësia që në javët në vijim të kemi një tjetër tentativë nga dy klubet e mëdha, që kanë mundësi më të mëdha financiare për të bërë realitet synimet e tyre në merkato. Tare është i bindur se do të arrijë që të bindë shkodranin që t’i bashkohet kolonisë shqiptare.

SHKARKO APP