Lazio dhuron spektakël në “Olimpico”, mund me përmbysje Interin (VIDEO)

Lazio vijon rrugëtimin fantastik në Seria A duke fituar edhe ndaj Interit në “Olimpico”. Skuadra e Inzaghit fitoi 2-1 me përmbysje ndaj zikaltërve në një ndeshje që do të dhuronte shumë emocione. Fillimisht ishte Milinkovic-Savic që të gjente vetëm traversën me një goditje nga distanca në minutën e 7-të.

Në fundin e fraksionit të parë, Inter kaloi në avantazh me një kundërsulm të shpejt. Strakosha ndali fillimisht Candrevën, por nuk mundi te frenonte Young, i cili shënoi pas pritjes së tij.

Lazio reagon mjaft mirë në fillimin e pjesës së dytë duke fituar një penalti pas një faulli të Skriniar ndaj Immobile. Do të ishte pikërisht ky i fundit që do të shënonte nga pika e bardhë duke mposhtur Padellin.

Në minutën e 69-të ndërkohë do të niste festa në “Olimpico”, teksa Milinkovic-Savic përfitoi më së miri nga një rrëmujë në zonën e zikaltërve. Lazio ruan avantazhin deri në fund, duke marrë 3 pikë që e ngjisin në vendin e dytë me 56 pikë, vetëm një më pak se Juventusi. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP