Lazio merr një fitore spektakolare me përmbysje në fund ndaj Torinos (VIDEO)

Lazio mori një fitore dramatike 3-4 në fushën e Torinos, sfidë në të cilën luajti titullar në radhët e bardhekaltëre Vedat Muriqi, ndërsa në skuadrën “Granata” startoi nga minuta e parë Mërgim Vojvoda. Pereira i dha epërsinë e përkohshme Lazios që në minutën e 15-të, por Torino përmbysi shumë shpejt shifrat me golat e Bremer dhe Belottit me 11-metërsh.

Milinkovic-Savic barazoi rezultatin me një goditje të lirë sapo nisi pjesa e dytë, ndërsa një gabim i rëndë në mbrojtje, në kthimin e topit, i dha mundësinë Lukicit të shënonte golin e tretë për Torinon.

Emocionet ishin të shumta në limitet e kohës shtesë,  kur fillimisht Ciro Immobile, i aktivizuar në vend të Muriqit, barazoi shifrat me një 11-metërsh, që u sinjalizua vetëm pas ndërhyrjes së sistemit VAR, për devijim të topit me dorë nga dy mbrojtës të Torinos, ndërsa vetëm pak çaste më vonë Caicedo arrin të shtyjë topin në rrjetë pas një rrëmuje në zonën e vendasve, duke bërë që të shpërthente festa në stolin e lacialëve.

SHKARKO APP