Leicester turpëron me “manita” City-in, Vardy shkëlqen me tripletë (VIDEO)
Kjo mund të quhet pa frikë një fundjavë surprizash. Manchester City pësoi humbjen e parë që në javën e dytë, duke u thyer nga Leicester 2-5. Për ta thënë më saktë, duke u mundur nga një super sulmues si Jamie Vardy, i cili do të shënonte 3 gola.
Skuadra e Guardiolës kaloi e para në avantazh pas një goli shumë të bukur të Mahrez në hyrje të zonës. Më të veçantë e bën ekzekutimi me këmbën e djathtë, kur dihet se algjeriani është një lojtar që luan me këmbën e majtë. Reagimi i “Dhelprave” ishte fantastik, teksa në fundin e pjesës së parë fituan një penallti, që do të kthehej në gol nga i përhershmi Vardy. Sulmuesi anglez nuk u mjaftua me kaq, teksa në minutën e 54-t, shënoi me finte golin e avantazhit, pas një pasimi nga Castagne.
33-vjeçari do të realizonte një tjetër gol 4 minuta më pas, sërish nga pika e bardhë e penalltisë. City humbi totalisht kontrollin e ndeshjes, teksa 13 minuta nga fundi pësoi edhe golin e katërt. James Maddison do të realizonte një perlë të vërtet, pas një goditje nga distanca, duke e dërguar topin në trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Ederson. 6 minuta nga fundi Nathan Ake do të shënonte për City-in në ditën e debutimit me “qytetarët”.
Gjithsesi emocionet nuk përfunduan këtu pasi Leicester realizoi edhe golin e 5-të në këtë ndeshje me Tielemans, që do të shënonte me penallti. Në këtë mënyrë trajneri Brendan Rodgers i jep një leksion futbolli Guardiolës, teksa “Dhelprat” qëndrojnë në krye të renditjes së bashku me Evertonin e surprizave. /R.Lika-Koha Jone/