Leonardo: Neymar gaboi, por s’ka asnjë tratativë të avancuar
Neymar është pa dyshim një nga protagonistët e kësaj vere në merkaton e transferimeve. Për javë të tëra është përfolur për një largim të mundshëm nga PSG dhe emri i tij ka qarkulluar në mediat më të mëdha botërore për një rikthim të mundshëm te Barcelona apo edhe një largim të Reali.
Një transferim i mundshëm i lojtari brazilian, do ta bënte atë transferimin më të madh të kësaj vere, apo edhe të historisë së futbollit. Gjithsesi kjo situatë nuk e shqetëson aspak drejtorin sportiv të klubit parisien, Leonardo, i cili ka folur për mikrofonin e RMC Sport .
“Neymar aktualisht është dëmtuar? Gjithçka është e thjeshtë. Ai ka qenë nën monitorimin e mjekësve më të mirë për t’u rikuperuar nga dëmtimi i sezonit të kaluar dhe mund të themi se është shëruar plotësisht”.
Ditët e fundit ka pasur edhe zëra për një përjashtim të mundshëm nga ekipi parisien.
“Janë të pavërteta. Neymar po ndjek një program të personalizuar për rikuperimin. Ai është një lojtar i PSG-së dhe nuk duhet të harrojmë që ai është i lidhur me klubin me një kontratë që do të skadojë pas 3 vitesh. Ne duhet të analizojmë gjithçka dhe të rregullojmë çdo situatë para se të kthehet të luajë sërish”.
Ndërkohë, tifozët e PSG tashmë janë shfaqur kundër Neymar, aq shumë sa që në ndeshjet e fundit ka pasur kore të shumta dhe banderola kundër tij për shkak të qëndrimeve të brazilianit për t’u larguar te Barcelona.
“Ai ka bërë gabime. Nuk e njihja, por me kalimin e ditëve e kam njohur më shumë dhe sinqerisht mendoj se është një djalë i mirë dhe një lojtar i jashtëzakonshëm”.
Leonardo ka përjashtuar mundësinë që tashmë ai është pranë largimit në një tjetër skuadër.
“Siç e dini ka diskutime që lidhen me të ardhmen e tij, por nuk ka asgjë në një fazë të avancuar”, deklaroi Leonardo. /Rozalb Lika-Koha Jone/