Lerda: Bylis është surpriza e këtij sezoni, por ne futemi në fushë për fitore

Kategoria Superiore nga nesër do të rikthehet sërish në fushë, pas disa ditëve të vështira nga tërmeti i frikshëm i 26 nëntorit. Partizani do të provojë që të marrë 3 pikët e radhës, teksa trajneri Franco Lerda, nuk i ka kursyer elozhet për rivalët.

 

“Bylisi është një skuadër, që po bën mirë në kampionat; është një nga surprizat e sezonit. Më ka lënë përshtypje të mirë në Tiranë. Me siguri, kundërshtari do të jetë mjaft i motivuar prej dy humbjeve të fundit. Partizani duhet të jetë i përqendruar dhe të japë maksimumin.

Na mungojnë golat? Nuk e kam thënë kurrë se kemi probleme me sulmuesit. Flas gjithmonë për skuadrën, jo për sulmuesit. Kam thënë që duhet të jemi konkretë në finalizim, kjo nuk vlen vetëm për sulmuesit. Fitoret janë njësoj, edhe kur janë minimale, vlejnë tri pikë. Nuk shqetësohem që fitojmë kështu. Do të firmosja për rezultatin 1-0 në të gjitha ndeshjet.

Jemi përgatitur për të bërë sa më mirë, kemi punuar taktikisht dhe fizikisht. Është e vështirë të imagjinosh se si do të dalë ndeshja, pasi janë tri rezultate në lojë. Skuadra është rritur dhe grupi është i shëndetshëm. Rezultatet e mira na kanë rritur në aspektin psikologjik. Formacioni? Nuk do t’ua them juve, të shohim. Do ta vendosim deri nesër. Nuk është e thënë të mos ndryshojë formacioni fitues. Kemi punuar psikologjikisht dhe mendoj se lojtarët janë gati.

Derbi? Mendojmë vetëm për Bylisin, tani për tani. Çdo ndeshje është e rëndësishme, edhe pse do të luajmë derbin javën tjetër. Me rëndësi është që të ruajmë vazhdimësinë. E respektojmë Bylisin, por nuk e kemi frikë. Duhet të respektojmë veten dhe të japim më të mirën, kjo është në dorën tonë, nuk varet nga Bylisi.

I kënaqur më barazim? Nuk mendoj për të, gjithmonë futemi në fushë për të fituar. Nuk e di si del rezultati, di që dua të fitoj. Çfarë ndodh në fushë, askush nuk e di. Partizanin e përgatis gjithmonë për të marrë fitoren.

Merkato e janarit? Nuk e kemi mendjen atje, është ende herët. Të kalojmë me sukses ndeshjen e radhës me Bylisin. Kampionati është i ekuilibruar, nuk ka shumë distancë në renditje mes skuadrave. Jemi të gjithë aty-aty, përveç Flamurtarit dhe Luftëtarit. Me dy ndeshje ngjitesh në krye. Pra, nuk e mendojmë diferencën me skuadrat e tjera”, deklaroi Lerda.

SHKARKO APP