Lerda: I kënaqur për fitoren, kampionati shumë i ekuilibruar

Trajneri i Partizanit, Franco Lerda është shprehur shumë i kënaqur me fitoren ndaj Skënderbeut dhe për mbylljen e fazës së parë në krye, por ai kërkoi kujdes, në një kampionat që sipas tij do të jetë i vështirë dhe i ekuilibruar.

 

“Jam i kënaqur sepse djemtë bënë një ndeshje të mirë, duke luajtur me intensitet, veçanërisht në pjesën e parë dhe në fund u shpërblyem me rezultatin që ishte në favorin tonë. Është një kampionat shumë i ekuilibruar, ku në çdo javë na presin kundërshtarë të vështirë, siç është Kukësi këtë javë, një ekip shumë i fortë. Ne kemi një ditë më pak për të rikuperuar, por duhet të përgatisim atë ndeshje sa më mirë dhe pa e pasur mendjen te renditja.

Bardhi dhe Asani? Kemi bërë mirë, por mund të përmirësohemi, duke eliminuar egoizmin në momente të caktuara, pasi na ndodh shpesh që të jemi në superioritet numerik, por nuk i zgjidhim si duhet këto situata. Jam shumë i kënaqur me të dy, që ndonëse nuk e kanë nisur mirë këtë sezon, sot luajtën mjaft mirë dhe kryen detyrat që u kisha ngarkuar.

Skema? Deri para derbit luajtëm me 3, pasi nuk kishim shumë alternativa në mbrojtje, por atëherë humbëm një mbrojtës dhe u detyruam të kalojmë me 4. Edhe këtu po luajmë me Malën në krah, që gjithsesi nuk është mbrojtës, por kemi krijuar një ide tonën dhe po vazhdojmë. Nga java në javë do të shohim se si do luajmë, se cila do jetë vendosja më e mirë për ne”, deklaroi Lerda pas ndeshjes.

 

 

 

SHKARKO APP