Lerda: Jemi në rrugën e duhur, ja cilët janë rivalët për titull
Trajneri i Partizani, Franco Lerda ka dalë në konferencë për shtyp në prag të sfidës së radhës në kampionat ndaj Luftëtarit. Strategu i të kuqve kërkon 3 pikët në shtëpi, ndërkohë që komentoi dhe klimën që mbizotëron në klub. “Këtë javë kemi punuar qetësisht. Ndryshimet që ndodhën nga klubi u pritën mirë nga të gjithë dhe puna vazhdon qetësisht.
Si duket bashkëpunimi me Kalarin?
Me Kalari kam një bashkëpunim të mirë, pasi kemi bashkëpunuar me parë, për lojtarët që luajnë në Partizanin B. Kalari është një djalë inteligjent dhe njeh mirë Partizanin, ndaj do të jetë një ndihmë e madhe për mua. Do të jetë bashkëpunëtori im që do të më japë një ndihmë të madhe, pasi njeh skuadrën dhe ambientin. Mendoj që do të shkojmë mjaft mirë bashkë.
Cili është versioni juaj për largimin e Mehmetit?
Largimi i Mehmeti siç e thashë më parë, ishte një zgjedhje e drejtuesve të klubit. Ishte zgjedhja më e mirë për Partizanin dhe të mirën e ekipit.
Mendoni se edhe mediat janë fajtore për klimën jo të mirë?
Nuk mendoj se janë mediat. Unë nuk i ndjek mediat dhe informacionet e mia vijnë vetëm nga presidenti dhe drejtori. Nuk kondicionohemi nga mediat, pasi jemi të fokusuar brenda skuadrës dhe nuk mendojmë çfarë flitet jashtë familjes.
Çfarë prisni nga ndeshja me Luftëtarin?
Pres një paraqitje të mirë, siç bëmë me Kukësin. Me pak fat më shumë, me më shumë kualitet në disa momente të lojës. Rruga është e duhura dhe jemi mirë fizikisht dhe mendërisht, ndaj duhet të vazhdojmë me këtë ecuri. Në ndeshjen e parë me Luftëtarin shënuam vetëm një gol, ndonëse kishim raste, por ishim të pasaktë para porte. Po punojmë të përmirësohemi në sulm, pasi na ka penalizuar pak shpërdorimi i rasteve. Krijojmë raste, bëjmë lojë, por gabojmë në finalizim ose në pasimin e fundit Duhet t’i zgjidhim ndeshjet sa më shpejt.
Keni programuar ndryshime në formacion?
Të gjithë kanë pasur mundësi të luajnë. Kemi pasur probleme me Koten, Telushin dhe Solomon, dhe kjo ka bërë që të luajnë lojtarë të tjerë. Solomon dhe Kote nuk do të jenë sërish, por është rikthyer Telushi për ndeshjen me Luftëtarin.
Cilin shikoni si rivalin më të fortë?
Të gjitha ekipet i vlerësoj maksimalisht, por nuk i druhem asnjë kundërshtari. Siç e thashë, tre skuadra si Kukësi, Tirana janë të forta. Bylisi është një surprizë, nuk e di nëse do të vazhdojë kështu deri në fund.