Lerda: Kemi respekt për Flamurtarin, rezultati do të varet nga episodet
Trajneri i Partizanit, Franco Lerda ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme në transfertë ndaj Flamurtarit. Trajneri italian i të kuqve ka theksuar se vlonjatët kanë respektin maksimal pavarësisht pozitave krejtësisht të kundërta në tabelën e klasifikimit.
“Kur përballet skuadra e vendit të parë me vendin e fundit, sigurisht që ekziston një nënvlerësim, apo një mosimpenjim nga ana e skuadrës. Por, unë dua të konfirmoj që lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë që mbart ky takim. Duke respektuar kundërshtarin, ne do të arrijmë të marrim maksimumin nga ky takim, të bëjmë më të mirën që dimë të bëjmë. Për sa i përket rezultatin, do të varet nga episodet e lojës, apo nga gjërat e tjera brenda fushës.
Në ndeshjen e parë, fituam në inferioritet numerik, pasi ishim me 10 lojtarë. Flamurtari do të ketë respektin tonë maksimal, duke parë dhe ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, nuk e meritonin të humbisnin. Për sa i përket fazës ofensive, kanë sulmues mjaft potent, duhet të mos iu lemë hapësira për të na goditur.
Shansi për shkëputjen? Momenti për ne është që të marrim maksimumin në ndeshjen e radhës. Duhet të fokusohemi vetëm që të marrim 3 pikët e radhës. Duhet të kalojmë pozitivisht takimin e radhës.
Formacioni? Unë e bazoj formacionin duke parë gjendjen fizike të lojtarëve gjatë javës. Duke parë formën fizike të lojtarëve në stërvitje, më pas vendos edhe për formacionin titullar që do të hedh në fushë.
Nuk do të harrojmë, që ndaj Kukësit, edhe pse pësoi gol, Flamurtari ka pasur disa mundësi shënimi. Është e rëndësishme që të kemi përqëndrimin maksimal, jo vetëm për të zhbllokuar rezultatin, por edhe për të menaxhuar takimin. Janë ndeshje shumë delikate. Kampionati shqiptar, nuk bën përjashtim nga kampionatet e tjera, po marrim si shembull Italinë”, deklaroi Lerda.