Lerda: Kemi respekt për Tiranën, por duam fitoren në derbi

Partizani do të kërkojë rikthimin te fitorja në derbin që do të luhet nesër në mbrëmje ndaj Tiranës në “Air Albania Stadium”. Strategu italian nuk e cilëson skuadrën e tij si favorite, ndërkohë që u shpreh se mungesat nuk do të ndikojnë.

“Derbi mbetet derbi, pavarësisht nga situatat në të cilat vijnë skuadrat. Si i tillë, nuk mendoj se ka favoritë. Skuadrat duhen përgatitur sa më mirë psikologjikisht, në mënyrë që të përballojnë një ndeshje të tillë me tension. Ne kemi mungesa, por mendoj se Partizani ka një grup të pasur lojtarësh, ndaj nuk e shoh si problem këtë gjë. Ato që do të luajnë janë përgatitur për ta përballuar mire sfidën me Tiranën. Forma e kundërshtarit? Unë mendoj se duhet të përqendrohemi te vetvetja, ta përgatisim sa më mire ndeshjen. E kemi nisur me analizën e humbjes ndaj Bylisit, për të nxjerrë mësimet e duhura.

Derbi luhet apo fitohet? Sa i përket frazës, nëse luhet apo fitohet, kjo është ndeshje që fitohet, duke parë mbështetjen dhe besimin që tifozët kanë. Duhet të fitohet dhe për ta fituar duhet të zhvillohet një lojë perfekte. Shpresoj që Tirana të ringrihet në objektivat që ka, por jo nesër. Mendoj se është prezente dhe do të luftojë deri në fund.

Formacioni? Ne ndryshojmë shpesh dhe askush nuk do të sakrifikohet. Çinari dhe Asani? Natyrisht, ne bëjmë ndryshime, por jo sakrifikime. Telushi, Broja dhe Mala? Lojtarët që nuk i kam në dispozicion, nuk i llogaris. Ata janë zero për këtë derbi. Të gjitha ndeshjet janë të vështira për t’u përgatitur, por kundër Tiranës duhet qartësi e qetësi psikologjike. Në kësi përballjesh ndikon edhe publiku me mediat. Do të luajmë në një stadium, ndër më të mirët. Është ndeshje me spektakël dhe shpresoj që të argëtohen të gjithë.

Besoj se do të japin më të mirën, duke përligjur atmosferën e pritshme në stadium. Kjo është një ndeshje, ku duhet përgatitje speciale në çdo drejtim. Unë nuk lexoj shumë gazeta, por di se duhet të japim maksimumin. Pastaj, verdiktin e jep fusha. Në lojë janë tri rezultate. Gjashtë vite pa humbje në derbi? Të gjitha ndeshjet derbi janë të rëndësishme, ndaj duhet bërë paraqitje e mirë. Ka gjithë këto vite që Partizani merr rezultate pozitive ndaj Tiranës, kështu që do të mundohemi ta ruajmë vazhdimësinë”, deklaroi Lerda.

SHKARKO APP