Leverkusen bllokon largimin e Xhakës, Ten Hag: Ka dhe 3 vite, nuk kemi ndërmend ta lejojmë!
Granit Xhaka është bërë sërish protagonist i merkatos së verës, me të ardhmen e tij që po kthehet në një çështje të nxehtë mes dëshirës së lojtarit dhe vendosmërisë së klubit të tij aktual. Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane, aktualisht pjesë e Bayer Leverkusen, thuhet se ka arritur një akord personal me Sunderland, me synimin për t’u rikthyer në Premier League, aty ku më parë ka shkëlqyer me fanellën e Arsenalit.
Ka qenë agjenti i tij që ka zbuluar gjithçka: “Kemi një marrëveshje të plotë me Sunderland. Graniti dëshiron të kthehet në Premier League. Projekti i klubit është entuziast dhe Xhaka e ka pranuar këtë sfidë. Tani shpresojmë që Leverkusen të respektojë dëshirën e tij dhe të arrihet marrëveshja mes klubeve.”
Por dëshira e Xhakës për t’u larguar nuk është mirëpritur nga klubi gjerman. Bayer Leverkusen, që tashmë ka humbur tre lojtarë kyç këtë verë, Wirtz, Frimpong dhe Tah, nuk ka ndërmend të lejojë një tjetër largim të rëndësishëm.
Trajneri i skuadrës, Erik ten Hag, ka reaguar menjëherë: “Agjenti mund të thotë çfarë të dojë, por realiteti është ndryshe. Ne kemi humbur tashmë tre titullarë. Graniti është shtylla e skuadrës sonë, një lider brenda dhe jashtë fushës. Ka edhe tre vite kontratë dhe nuk kemi ndërmend ta lejojmë të largohet.”
Të njëjtin qëndrim ndau edhe drejtori sportiv i klubit, Simon Rolfes, i cili theksoi rëndësinë e Xhakës për projektin e Leverkusen: “E kam thënë disa herë – Graniti është shumë i rëndësishëm për ne. Kam folur me trajnerin dhe të gjithë palët. Ai do të largohet vetëm nëse të tria palët bien dakord. Për momentin, ai është lojtari ynë dhe llogarisim shumë tek ai.”
KOHA JONË SONDAZH

