Lewandowski: Haaland mund të bëhet më i miri në botë, por pas meje!

Erling Haaland është një nga sulmuesit më të mirë në botë, edhe pse në fakt në pasaportën e tij shënohet mosha vetëm 20 vjeç. Talenti që aktivizohet te Dortmundi është përshtatur menjëherë me nivelet e larta të futbollit, duke rivalizuar Lewandowskin në Bundesligë.

Sulmuesi polak i Bayern Munchen dhe futbollisti më i miri në planet për vitin 2020, thur elozhe për talentin nordik, teksa beson se Haaland do të bëhet sulmuesi më i mirë në botë, por duhet të presë edhe pak.

“Haaland është një futbollist i shkëlqyer. Është ende shumë i ri dhe ka një potencial të madh. Nëse e sheh në fytyrë, e dallon lehtë dëshirën për të shënuar gola. E ka mundësinë për t’u bërë sulmuesi më i mirë në botë. Por kujdes, jo gjithçka shkon mbarë gjithmonë dhe në futboll nuk ka asgjë të lehtë.

Erling po realizon shumë gola, por është akoma i ri. Unë mendoj se është diçka fantastike të kesh një talent të tillë në Bundesligë dhe të përballesh me të. E përsëris, ai është një futbollist që mund të bëhet më i miri.

Gjithsesi, unë nuk kam ndërmend t’i hap rrugë dhe t’ia jap stafetën. Jam i lumtur këtu ku jam dhe kam ndërmend të luaj në nivele të larta edhe për disa vite“, u shpreh 32-vjeçari.

SHKARKO APP