Lika: Dua kualifikimin në Kupë, pse jo ta fitojmë trofeun!
Nesër në orën 17:00, Vllaznia do të presë në “Loro Boriçi” skuadrën Teutën. Kuqeblutë do të tentojnë të marrin një rezultat sa më pozitiv, për të qenë sa më të sigurt për duelin e kthimit. Kapiteni Gilman Lika ka shumë besim në një sukses të mundshëm, madje synon edhe triumfin në këtë kompeticion.
“Nuk është momenti për të folur për të ardhmen, vetëm duhet të reagojmë ndryshe nga ndeshja në Laç. Nuk luajtëm keq, shënuam dy herë dhe krijuam 3-4 raste të pastra për gol në një fushë shumë të vështirë. Pesë golat e pësuar janë skandalozë. Le të mendojmë për sfidën me Teutën. Duhet të besojmë tek kualifikimi, sepse nuk kemi asgjë më pak sesa kundërshtari. Dihet që është një ndeshje e vështirë, Teuta është ekip i mirë dhe duhet vlerësuar. Kemi pretendimet tona për fitore.
Trajneri i ri? E kemi pritur mirë, pasi dihet kontributi që trajneri ka dhënë për Vllazninë. Sigurisht që ka respektin tim, tonin dhe të gjithë Shkodrës. Duhet të kemi rezultate të mira dhe të kënaqim qytetin. Fundi i karrierës? Jam lodhur me këtë pjesë, sepse njerëzit kanë mbetur duke ma thënë vazhdimisht këtë. Në futboll sot nuk ka moshë, por si paraqitesh në fushë.
Kupa e Shqipërisë? Çdo ekip ka pretendimet e veta, edhe Teuta. Ne duam të kualifikohemi, pse jo ta fitojmë këtë trofe. Besoj se kemi ekip më të mirë se durrsakët, që drejtohen nga një trajner shkodran. Natyrisht, nuk kam qejf të bëj batuta me Edi Martinin. Është profesionist dhe bën detyrën e tij. Nuk i trembemi askujt, këtë sezon kemi treguar se jemi të barabartë. Ju e shikoni vetë se renditja të lejon çdo gjë.
Pra, je afër me Europën, por edhe me “play-out”-in, sepse pikët ta lejojnë. Nëse japim maksimumin dhe jemi të përqendruar, mund t’ia dalim. Lufta në dy fronte? Besoj se kemi forcë për këtë. Ekipi ka mangësi në përgatitjen fizike, por me kalimin e ditëve çdo lojtar do të jetë më mirë nga ky aspekt. Uroj të fitojmë nesër për profesorin e ri, për vete dhe për Shkodrën”, deklaroi Lika.