INTERVISTA/ Lika: Nder që luaj për Shqipërinë, me Hysajn ka rivalitet të madh
Intervistoi: Rozalb Lika
Shqipëria do të luajë dy miqësoret e radhës ndaj Kosovës më 29 maj dhe Ukrainës 5 ditë më vonë. Trajneri Kristian Panuçi në dy grumbullimet e fundit ka bërë disa ndryshime të rëndësishme, duke i dhënë mundësinë futbollistëve që kanë spikatur brenda dhe jashtë vendit. Një ndër ta është edhe mbrojtësi Bujar Lika, i cili ka marrë gjatë kësaj jave ftesën e dytë zyrtare nga strategu italian.
25-vjeçari është pjesë e ekipit të Grasshopers në Zvicër, ndërkohë që ai pati mundësinë për të zhvilluar 25 minutat e para me fanellën kuqezi në miqësoren e 26 marsit ndaj Kombëtares së Norvegjisë. Lika në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” e pranon se është mjaft i kënaqur që është pjesë e Kombëtares, ndërkohë që ai është shprehur i gatshëm për të luajtur në çdo pozicion që trajneri do të ketë nevojë.
Si ndiheni pas ftesës së dytë të marrë nga trajneri Kristian Panuçi?
Ndihem shumë i lumtur për ftesën e dytë nga Shqipëria dhe është një nder i madh për mua. Po vijoj ende stërvitjet me ekipin e Grasshoperit.
Besoni se dy miqësoret e radhës do të keni hapësira për të luajtur me fanellën kuqezi?
Unë dua vetëm që të tregoj veten time sa më mirë në seancat stërvitore. Nëse trajneri Panuçi do më japë mundësin që të luaj, unë do i jem mirënjohës dhe do të jap maksimumin në fushën e lojës.
Në krahun e djathtë keni një rivalitet të ashpër me Hysajn, e bën kjo edhe më të vështirë gjetjen e hapësirave në Kombëtare?
Është e vërtet. Me Hysaj kemi rivalitet të madh në krahun e djathtë, por te skuadra e Grasshoperit kam luajtur edhe në pozicione të tjerë. Jam një futbollist polivalent. Për mua është e rëndësishme që të tregoj veten në stërvitje, dhe që të integrohem sa më shpejt në Kombëtare, dhe gjithmonë me dhënë maksimumin për kuqezinjtë.
A keni pasur ndonjëherë propozim nga Kosova për të luajtur për përfaqësuesen e tyre?
Jo, nuk kam pasur asnjëherë një propozim prej tyre.
Si ka qenë ky sezon te Grashopers, a jeni i kënaqur? Apo besoni se mund të jepni edhe më shumë?
E nisëm mjaft mirë sezonin, por më pas humbën sistemin tonë të lojës, dhe kemi pasur disa ndryshime brenda klubit, duke përfshirë trajnerin dhe gjëra të tjera. Grasshopers ka ambicie për të luajtur në Europa Leasgue, një objektiv që këtë sezon nuk e kemi realizuar. Besoj se vitin e ardhshëm do ta arrijmë këtë objektiv.
Sa i përket së ardhmes, a keni pasur ndonjë propozim konkretë?
Sa i përket së ardhmes, unë kam një kontrata ende me klubin aktual. Për të ardhmen do të shohim. /Koha Jonë/