Llullaku: Nuk doja që të qëndroja vetëm për para në Kazakistan, duke mos luajtur
Azdren Llullaku ka mbyllur kontratën me skuadrën e Astanës në këtë muaj, pasi ka shënuar vetëm një gol në huazim te skuadra e Tobal. Sulmuesi i kombëtares sonë tashmë stërvitet në Rumani në ekipin e Gaz Metanit, ekip në të cilin ka shënuar 35 gola në 120 ndeshje. Në një intervistë të dhënë për portalin “GSP” ai ka rrëfyer se është në negociata me disa klube të ndryshme.
Përshëndetje Azdren! Morëm vesh se jeni larguar nga Kazakistani …
Po, vendosa që të mbyll kontratën atje. Pash që gjërat nuk po shkonin mirë, unë jam i ri dhe kam një të ardhme përpara. Nuk doja që të qëndroja vetëm për para, duke mos luajtur. Mendoj se mund t’i tregoj ende vlerat e mia.
Çfarë nuk shkoi atje?
Nuk e di, por mund të kishte shkuar ndryshe. Gjithsesi tashmë nuk ka rëndësi, duhet të shohim përpara.
Keni shënuar 16 gola te Gaz Metani, dhe mbetët golashënuesi më i mirë në Rumani. A e prisnit të ndodhte kjo edhe pasi u larguat?
Të përgjigjem sinqerisht, jo. Isha shumë i lumtur në fund. Kur u largova në dimër, kisha kaluar një pjesë të parë të mirë në kampionat. Mbetet një kujtim i mirë për mua dhe një paraqitje e mirë gjithashtu.
Çfarë do të bëni këtë dimër?
Tani po stërvitem me Gaz Metanin, kam folur me trajnerin, presidentin, i falënderoj që më pritën. Po pres që të nënshkruaj me një klub të ri, shpresoj që ta kem sa më pranë shtëpisë sime.
Do të riktheheni në Rumani?
Kam oferta nga Rumania, por edhe nga klube jashtë saj. Jam më shumë i vendosur për të luajtur jashtë, por të shohim. Asgjë nuk përjashtohet, kam kohë mjaftueshëm për një vendim.
Në vitin 2012 ju luanit në kategorinë e katërt italiane ndërsa tani jeni një futbollist i Kombëtares. A ishte transferimi në Rumani vendimi më i mirë që keni marrë?
Në atë kohë dëshiroja që të largohesha nga kategoria e katërt dhe të shkoja jashtë Italisë. Atje kisha probleme si ekstra-komunitar dhe nuk mund të ngjitesha më lart. Isha i lumtur kur mbërrita në Rumani dhe doli që ishte një vendim i zgjuar.
Pas një muaji do të mbushni 30 vjet, deri kur mendoni të luani?
Nuk dua të tërhiqem kaq shpejt. Shpresoj të luaj edhe 6-7 vite të tjera. Më pëlqen futbolli shumë, jetoj për këtë sport!
Cilat janë planet tuaja për këtë vit?
Po mendoj ende për të ardhmen time. Shpresoj të gjej zgjidhjen më të mirë dhe të mos bëj një gabim të ri, siç bëra kur shkova në Kazakistan. Shpresoj të kaloj një vit të mirë, ashtu si në vitin 2016. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

