Lojtarët e Liverpoolit rinisin stërvitjen pas tragjedisë së Diogo Jota-s
Skuadra e Liverpool është rikthyer në qendrën stërvitore AXA për fazën përgatitore parasezonale, vetëm pak ditë pas funeralit të sulmuesit portugez Diogo Jota, i cili humbi jetën tragjikisht të enjten e kaluar në një aksident automobilistik në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva.
Funerali u mbajt të shtunën në qytetin e lindjes së tyre, Gondomar, pranë Portos, ku morën pjesë shumë shokë të skuadrës dhe pjesëtarë të stafit të Liverpool. Klubi kishte planifikuar rikthimin e lojtarëve në stërvitje që të premten, por vendosi ta shtyjë në shenjë respekti për tragjedinë që preku familjen Jota.
Mes të parëve që u panë të mbërrinin në qendrën stërvitore ishin Mohamed Salah, Andy Robertson, Conor Bradley dhe Wataru Endo. Lojtarët ishin të qetë dhe me fytyra të trishtuara, duke reflektuar dhimbjen që ka lënë pas humbja e ish-shokut të tyre të skuadrës.
Liverpool ka planifikuar miqësoren e parë parasezonale këtë të diel kundër Preston në stadiumin Deepdale, megjithatë ende nuk është konfirmuar nëse ndeshja do të zhvillohet, për shkak të situatës së rënduar emocionale në klub.
Skuadra e Arne Slot do të përballet më 10 gusht me fituesit e FA Cup, Crystal Palace, në Community Shield. Më pas janë planifikuar dy sfida kundër Milanit në Hong Kong dhe Yokohama-s në Japoni.
KOHA JONË SONDAZH

