Longo: Renditja në kampionat duhet parë në mars, Egnatia ekip i vështirë!

Kukësi pas performancës shumë të mirë në kampionat, synon të vijojë ecurinë pozitive edhe në Kupën e Shqipërisë. Në turin e dytë të këtij edicioni verilindorët do të përballen me Egnatian. Trajneri Diego Longo, duke ditur objektivat e klubit, e vlerëson sfidën dhe kundërshtarin, pavarësisht se në kampionat e mundi me lehtësi brenda në Rrogozhinë.

“Egnatia është një ekip i vështirë dhe këtë e kam thënë që në fillim, kanë bërë mirë në kampionat. Ndeshja na vështirësohet edhe për shkak se do të luhet në fushën e Peqinit, gjë që e kanë kërkuar ata. Të stërvitesh në fushë me bar normal është më mirë. Nuk është alibi stërvitja në fushë sintetike. Nëse një ditë do jemi në fushë me bar natyral, do jetë më mirë.

Në këtë moment nuk më intereson shumë klasifikimi, kjo do shihet në mars. Nëse ekipi i dytë është pesë pikë pas, ka shanse edhe për kreun. Ne shpresojmë të jemi të parët ose minimalisht të dytët. Tirana është një ekip i mirë, i peshon fanella dhe duhet të respektohet për 25 titujt kampion”, deklaroi strategu i verilindorëve.

Egnatia-Kukësi do të luhet të mërkurën në orën 14:00, në stadiumin e Peqinit, për shkak se rrogozhinasit nuk duan të dëmtojnë tapetin e fushës së tyre.

 

SHKARKO APP