Luis Diaz kërkon largimin nga Liverpool, Bayerni bën gati një ofertë të re
E ardhmja e Luis Diaz është gjithnjë e më larg “Anfield”. Sulmuesi kolumbian është në qendër të merkatos së verës, me Bayern Munich që e ka vendosur si një nga objektivat kryesorë për repartin ofensiv.
Këtë javë, gjigantët gjermanë kanë paraqitur një ofertë të parë pranë 70 milionë eurove për të siguruar shërbimet e 27-vjeçarit, por Liverpool e ka refuzuar, duke e konsideruar të pamjaftueshme për të lënë të lirë njërin prej titullarëve të skuadrës.
Sipas burimeve të “The Athletic”, vetë Diaz i ka komunikuar klubit dëshirën për t’u larguar, duke shtuar presionin mbi drejtuesit anglezë që të marrin në konsideratë një shitje të mundshme.
Në këtë situatë, një ofertë e dytë dhe e përmirësuar nga Bayerni në javët në vijim nuk përjashtohet. Gjermanët janë të vendosur ta sjellin kolumbianin në “Allianz Arena” dhe të përforcojnë krahët e sulmit për sezonin e ri.
Kalimi i Diaz në Bundesliga mund të bëhet realitet nëse palët arrijnë të bien dakord për shifrën e transferimit, e cila me shumë gjasa do të kalojë 70 milionët e parë.
KOHA JONË SONDAZH

