Luis Enrique: Do firmosja për të përsëritur PSG-Liverpool të sezonit të kaluar, por me një tjetër rezultat!
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka deklaruar se në përballjet e mëdha europiane nuk mund të flitet për favoritë, duke theksuar se gjithçka vendoset në fushë.
“Është e pamundur të kesh një favorit në këto lloj ndeshjesh. Nuk mendoj se jemi ne. Vitin e kaluar të gjithë thoshin se favorit ishte Liverpooli dhe në fund u kualifikuam ne”, u shpreh ai, duke kujtuar rrugëtimin e sezonit të kaluar, kur PSG arriti deri te titulli në UEFA Champions League, duke mposhtur në finale Interin.
Tekniku spanjoll theksoi se, pavarësisht suksesit të kaluar, situata këtë sezon është ndryshe: “Është një vit tjetër. Dua të njëjtin identitet skuadre: të luajmë futboll të mirë dhe të shijojmë kompeticionin”.
Duke kujtuar përballjen e sezonit të kaluar në Parc des Princes, ku Liverpool fitoi 1-0 në ndeshjen e parë të 1/8-ve, Luis Enrique vlerësoi nivelin e asaj sfide: “Ishte një ndeshje e nivelit shumë të lartë. Do ta firmosja një paraqitje të njëjtë, por jo të njëjtin rezultat. Duhet të përfitojmë nga fakti që luajmë në shtëpi, me një atmosferë të jashtëzakonshme”.
KOHA JONË SONDAZH

