Luis Hasa, super talenti shqiptar që po shkëlqen me moshat e Juventusit
Një futbollist po spikat në sektorin e të rinjve të Juventusit me teknikë dhe shpejtësi. Po flasim për Luis Hasan, një djalosh i ri që përmirësohet dita ditës në skuadrën e njohur italiane. I lindur në Sora në vitin 2004 (provincë e Frosinones) ai konsiderohet si një nga talentet më premtues. Me kombësi italiane, por origjinë shqiptare, nga Sora u transferua në Asti: nga aty, në shkollën e futbollit San Domenico Savio, ku dallohet menjëherë talenti i tij.
Në moshën 7 vjeç ai ju bashkua akademisë së Juventusit, dhe që prej atëherë ka vijuar që të ngjisë shkallët e karrierës në mosha të ndryshme. Në moshën Under-16, ai formon sulmin së bashku me Galante dhe Turco, duke u përshtatur në mënyrën më të mirë. Ai ka aftësinë që të përshtatet në disa role, si trekuartist, apo mesfushor krahu.
Luis ka debutuar këtë sezon edhe në seleksionin e moshës Under-17, të drejtuar nga Francesco Pedone, duke u aktivizuar në 4 ndeshje dhe duke shënuar në fitoren 4-0 kundër Livornos. Talenti me origjinë shqiptare ka shënuar 6 gola në 14 ndeshje, teksa fakti që ai është vetëm 16 vjeç bën që FSHF duhet të fillojë të lëvizë për ta bindur, pasi Italia mund të nxitojë për të bërë për vete një talent që duket shume premtues në të ardhmen. Me klas dhe sakrificë Hasa po ndërton një karrierë të ndritur në “fidanishten” bardhezi.
Me klas dhe sakrificë Hasa po ndërton një karrierë të ndritur në “fidanishten” bardhezi. Brezi i futbollistëve të lindur në Itali në familje emigrantësh duket se ofron garanci të madhe për të ardhmen e futbollit shqiptar. Një menaxhim më i mirë i talenteve në këtë periudhë mund të evitonte çdo dyshim për vitet në vijim që duket se do na ofrojnë lojtarë me shumë prespektivë. /Rozalb Lika-Koha Jone/