Magani: Presion te Tirana, dua kualifikimin në Kupë

Trajneri i Tiranës, Gugash Magani pret fitore dhe kualifikim në Kupën e Shqipërisë ndaj Bylisit. Ai pranoi se presioni është i madh. Referuar rasteve të shpërdoruara ndaj Vllaznisë kur ishin në avantazh 1-0, Magani tha se ekipi duhet të kishte shënuar, duke thënë se nuk do të përsëritet më e njëjta situatë.

“Presioni është i madh. Situata nuk është e mirë. Gjithsesi unë e thashë edhe pas ndeshjes me Vllazninë që humbëm prej gabimeve tona. Në këto momente duhet të jemi shumë të bashkuar, presionin ta mbajmë ne, çunat duhet të jenë sa më të qetë, kështu kemi punuar këto ditë. Një skuadër që nuk e mban presion do ketë probleme.

Ne jemi të vendosur për tu futur për tu kualifikuar dhe kam bindjen që do të fitojmë ndeshjen. Ne analizojmë çdo gjë që ndodh, mbaj përgjegjësitë e mia, kur jemi 1-0 duhet të menaxhosh rezultatin. Në çdo moment kur je 1-0 dhe ke raste të tjera, duhet të kujtoj Tiranën e disa viteve që nuk falte duke shënuar. Ne e kemi analizuar dhe nuk do të ndodhë më.

Situata është shqetësuese, çdo njeri ka përgjegjësitë e veta, përgjegjësinë kryesore e kam unë. Kemi kapacitet të zgjidhim situatën. Organika po plotësohet, për 10 ditë besoj jemi të kompletuar besoj. Në qoftë se dokumentacioni është i plotësuar atëherë lojtarët janë gati. Nuk pres asgjë nga merkatoja, topin e kemi ne dhe duhet të luajmë”, u shpreh Magani.

SHKARKO APP