Maganit nuk i pëlqeu shtyrja e derbit, trajneri i Vllaznisë bën gati valixhet
Derbi Tirana – Partizani,planifikuar të luhej të premten, për shkak të mungesës së një stadiumi në kryeqytet, është shtyrë për t’u zhvilluar më 12 mars. Kjo shtyrje e detyroi trajnerin e bardhebluve, Gugash Magani, që të zhvillonte dje një test kontrolli me Tiranën B. Takimi i zhvilluar në fushën me bar sintetik të kompleksit “Skënder Halili” përfundoi me shifrat 7-3 për ekipin e parë të Maganit, që bëri ndërrime të shumta në formacion, duke u dhënë hapësira të gjithë futbollistëve që kishte në dispozicion. Në përfundim të këtij testi trajneri peqinas theksoi se për Tiranën do të ishte më mirë që super-sfida me Partizanin, të zhvillohej sipas programit. – “Duhet të sqaroj diçka, sepse me duket se ka pasur keqinterpretim të deklaratave tona. Ne nuk kemi dashur ta shtynim derbin, por ngaqë ishte e pamundur të luhej në kryeqytet, si alternativë më e mirë për ne ishte stadiumi i Peqinit, sepse në këtë qytet do të kishim më shumë përkrahje.” Për sfidën e mesjavës me Skënderbeun, Magani u shpreh: – “Ndoshta në pamje të parë jemi disi më të favorizuar për faktin që do të kemi më shumë kohë për t'u përgatitur, por unë mendoj se Skënderbeu do t’i ketë ditët në dispozicion për të rikuperuar forcat.” Rezultatet e tri ndeshjeve radhazi ndaj Skënderbeut, Kukësin dhe Partizanit, sipas Maganit do të jenë vendimtare për objektivin titull. – “Jemi të vetëdijshëm që na pret një kalendar shumë i fortë dhe se në këto tri ndeshje mund të vendoset shumë për objektivat tonë. Nuk duhet t'i lejojmë kundërshtarët që të shkëputen.” Pas barazimit të Kukësit në Fier 2-2 dhe fitores së Skënderbeut në Durrës, 0-1, gara për titullin kampion dhe ndeshjet e ardhshme të Tiranës bëhen edhe më interesante e të vështira.
Skënderbeu kthehet triumfues nga Durrësi, Kukësit “vetëvritet” në Fier
Takimi midis Flamurtarit dhe Laçit i programuar për t’u zhvilluar pasditen e djeshme në stadiumin e qytetit të Vlorës është shtyrë prej reshjeve të shumta të shiut. Fusha u cilësua si e papërshtatshme nga ana e delegatit të sfidës dhe gjyqtarit Enea Jorgji dhe pas vlerësimi të terrenit, është dalë në konkluzionin se gjendja e tapetit të stadiumit të qytetit të Vlorës nuk ishte i përshtatshëm për të pritur këtë takim. Është propozuar që edhe kjo sfidë do të zhvillohet më 12 mars, edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e FSHF-së. Më herët ishte shtyrë edhe ndeshja derbi mes Tiranës e Partizanit, që do të luhet më 12 mars në “Qemal Stafa”, por shkak se impianti kombëtar nuk është gati. Dje janë luajtur tre takimet të Kategorisë Superiore, të vlefshme për javën e 24-ët:
Apolonia-Kukësi 2-2
Shënues: Fili 11’ , Uzuni 31’/ Lushtaku 83’, Pejiç 90’
Kukësi lë dy pikë të tjera në garë për titull, duke mos fituar dot në Fier përballë Apolonisë me shanse të pakta mbijetese, madje mundi të shmangte humbjen në 10 minutat e fundit, falë golave të Lushtakut e Pejiç. Kukësi e gjeti veten papritur në disavntazh 2-0 në pjesën e parë, kur për vendasit e drejtuar nga Artan Mërgjyshi shënuan dy gola të shpejtë. Në 11’, Fili merr një top në afërsi të zonës dhe pasi shmang bukur 2 mbrojtës, realizon duke kaluar Apoloninë në avantazh. Kukësi e sheh veten ne disavantazh dhe përpiqet të reagojë. Në minutën e 31’, Uzuni dyfishon shifrat. Talenti beratas realizon golin e dytë duke shokuar totalisht verilindorët që nuk reagojnë dot për asnjë moment. Me shifrat 2-0 u mbyllën edhe 45 minutat e para. Goli që rihap sfidën për Kukësin erdhi shumë vonë, saktësisht në 83’, me anë të Lushtakut. Kosovari merr një pasim perfekt nga Pejiç dhe realizon duke ngushtuar diferencat. Kur ndeshja po i drejtohej fundit, në minutën e 3-të shtesë, kuksianët gjejnë edhe golin e barazimin me anë të kroatit Pero Pejiç, pasi ky i fundit shfrytëzoi një krosi nga Shameti dhe realizon duke vulosur takimin në shifrat 2-2. Kukësi i jep shanse Skënderbeut, me këtë barazim, t;i afrohet vetëm 1 pikë larg.
Teuta-Skënderbeu 0-1
Shënues: Shkëmbi 45’ (11-m)
Siç ishte paralajmëruar nga Skënderbeu ndeshja në Durrës do të ishte e vështirë, por fitorja përballë Teutës vendase mbetej alternativë e vetme për titullin kampion. Rikthimi i kapitenit Bledi Shkëmbi, që ishte i s’kualifikuar dhe nuk luajti në barazimin e javës së kaluar, 1-1, me Kukësin, rezultoi vendimtar. Në minutat shtesë të pjesës së parë, ndaj “djemve të detit” Shkëmbi harkon një top në zonë dhe Brahja prek topin me dorë. Arbitri nuk mendohet dy herë dhe sinjalizon për penallti, duke nxjerrë edhe Brahjen me karton të kuq. Shkëmbi shënon nga pika e bardhë, për të kaluar Skënderbeun në avantazh. Me shifrat 0-1 u mbyll edhe pjesa e parë dhe i gjithë takimi. Në fundin e ndeshjes korçarët humbasin disa mundësi të mira me Progni dhe Stojkov për të vulosur takimin. Kjo fitore e ngjit Skënderbeun në vend të dytë por me shanse të mëdha që të mbrojë titullin e katërt radhazi kampion.
Trajneri italian i Vllaznisë, pranë shkarkimit
Vllaznia-Elbasani 1-1
Shënues: Hajdari 39’/Jontsha 62’
Elbasani mori një pikë në Shkodër dhe matematikisht mbetet në garë me më tepër moral për të qëndruar në Kategorinë Superiore. Trajneri i Vllaznisë Baldo Ranieri refuzon të japë dorëheqjen por me këtë barazim ai ka paralajmëruar se mund të ndodhë një gjë e tillë. Goli i Hajdarit nuk mjaftoi për vendasit, pasi në pjesën e dytë, barazoi kamerunasi Jontsha për miqtë. – “Qëndrojmë aty ku jemi, nuk është fundi i botës,” – tha pas barazimit trajneri italian. – “Kur humbasim bëhet valixhja gati, në rast barazimi kam bërë valixhen e vogël gati, të tjerat ende jo. Ndërsa për ndeshjen, nuk arritëm të fitojmë, por barazuam. Nuk është fundi i botës, ne qëndrojmë atje ku jemi,” – shtoi trajneri i Vllaznisë Baldo Ranieri. Sa i përket qëndrimit në Kategorinë Superiore, ai u shpreh: – “Për momentin jemi të qetë, por para kemi disa ndeshje të vështira. Do luajmë me Laçin, Skënderbeun, Kukësin, dhe gjithçka mund të ndodhë, nuk e dimë atë, më mirë t’ia lëmë kohës”- tha trajneri i Vllaznisë. Bomberi Vioresin Sinani është gati të marrë drejtimin e Vllaznisë, ndoshta nga kjo javë pas rezultateve të fundit.
Kategoria Superiore
Java e 24-ët – Sot
Apolonia-Kukësi 2-2
Teuta-Skënderbeu 0-1
Vllaznia-Elbasani 1-1
Tirana-Partizani (12 mars)
Flamurtari- Laçi (shtyhet)
Klasifikimi
Kukësi 49
Skënderbeu 48
Tirana 47
Partizani 44
Laçi 38
Flamurtari 34
Vllaznia 27
Teuta 19
Elbasani 13
Apolonia 10
KOHA JONË SONDAZH

