Majlinda Kelmendi fitoi “Everestin”

Majlinda Kelmendi ka fituar çmimin “Xhudistja më e mirë e sotme” (Best Female Judoka Today) nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Çmimi është si “topi i artë” në futboll.

Majlinda Kelemdi (kampione olimpike nga Kosova) është nderuar në Budapest të Hungarisë me çmimin më të madh në karrierën e saj – një natë para fillimit të Kampionatit Botëror në xhudo, i cili zhvillohet nga sot 28 gusht deri më 3 shtator. Edhe në këtë kampionat Majlinda Kelmendi konsiderohet si kandidatja kryesore për titullin e më të mirës.  Ajo theksoi se çmimi Best Female Judoka Today është më i madhi në karrierën e saj.

Rio 2016 Judo Majlinda Kelmendi Kosovo (Reuters/T. Hanai)

Majlinda Kelmendi falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugën e saj shumë të vështirë deri tek sukseset më të mëdha për shtetin e ri – Kosovën. Ajo falënderoi edhe kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, për të cilin tha se mbështetja e tij që i ka mundësuar suksese xhudos kosovare.

“Është një nder i madh të jem këtu, ndaj dua të them disa fjalë. Fillimisht dua të uroj presidentin për mandatin e ri. Faleminderit që e keni mbështetur Kosovën. Ju jeni arsyeja që Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik. Falë jush më është mundësuar të përfaqësoj Kosovën në Rio (në Lojërat Olimpike Verore). Falë jush Kosova e ka fituar edhe medaljen olimpike. Faleminderit nga zemra”, theksoi Majlinda, duke falënderuar Marius Vizer.

Majlinda Kelmendi (picture-alliance/AP Photo)

Por Majlinda falënderoi në mënyrë të veöantë edhe trajnerin Driton Kuka dhe familjen e saj. “Të gjithë e njihni storien time. E kam nisur karrierën në Kosovë dhe kam fituar gjithçka. Por ky çmim sot është ‘Everesti’ i të gjitha fitoreve”, theksoi Majlinda Kelmendi.

Ndërsa trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka tha se çmimi që mori Majlinda Kelmendi është i rëndësishëm sikurse “Topi i Artë” në futboll. (DW)

SHKARKO APP