Majlinda Kelmendi votohet nga fansat si xhudistja e vitit
Viti 2016 nuk do të harrohet kurrë jo vetëm nga Majlinda Kelmendi por nga të gjithë shqiptarët. Xhudistja nga Peja ngriti lart flamurin e Kosovës në lojërat olimpike të Rio de Janeiros duke përfituar Medaljen e artë në pjesmarrjen e parë të shtetit më të ri në Ballkan në Olimpiadë. Emocionet e 7 Gushtit janë ende të pranishme megjithëse kanë kaluar 4 muaj, ajo arritje do të mbetet gjithnjë e shkruar në librat e historisë.
Tashmë që 2016-ës po i vjen fundi Federata ndërkombëtare e Xhudos ka konfirmuar se 25 vjeçarja është shpallur xhudistja e vitit. Ky cmim përcaktohet në bazë të një votimi popullor që kryhet në rrjetet sociale dhe Kelemndi ka siguruar 5299 pikë duke merituar titullin e më të mirës për 2016-ën. Xhudistja pejane fitoi me diferencë në këtë garë duke lënë pas brazilianen Rafaela Silva që përfitoi më pak se gjysëm e pikëve të Majlindës, më saktë 2565, në vendin e tretë u rendit amerikania Kayla Harrison.
Një shpërblim i rëndësishëm për Kelmendin që me cilësitë e saj nuk ka tërhequr pas vetes vetëm tifozët shqiptar, por fansa nga e gjithë bota. Tashmë objektivi i rradhës është olimpiada e Tokyos, aty ku synimi është një tjetër medalje e artë
/Oranews.tv/