Manaj befason të gjithë: Nuk e di a do jem më pjesë e Sivasspor-it
Rey Manaj nisi sezonin e ri me fanellën e Sivasspor, ku luajti 90 minuta në përballjen me Trabzonspor të dielën. Autori i 18 golave edicionin e shkuar është përfol shumë për një largim nga Sivasspori, por edhe pse e nisi sezonin e ri me klubin turk, asgjë nuk është mbyllur.
Manaj ka zbuluar se klubi është në bisedime për shitjen e tij, por në anën tjetër sulmuesi zbulon se edhe nëse qëndron në Sivas ai do të jetë po aq i lumtur.
“Kemi patur takime me klubin sa i takon situatës së transferimit. Mund të them se gjithçka është ende në zhvillim. Nuk e di nëse do të largohem apo do të vijoj të jem pjesë e Sivasspor. Unë e dua shumë Sivasin, jam trajtuar gjithmonë shumë mire këtu. Nëse do të jetë e mundur që të vazhdoj, sigurisht që do të qëndroj”, deklaroi Manaj pas ndeshjes.
Manaj shpërtheu edicionin e shkuar, duke qenë shënuesi i tretë më i mirë i kampionatit, pas Mauro Icardit dhe Edin Dzekos.