Manchester City përgatit dy super blerje, pagë astronomike për Haaland
Manchester City ka një super skuadër për momentin nën drejtimin e Pep Guardiolës, por kjo nuk do të thotë se planet e klubit anglez janë vetëm për të tashmen. “Qytetarët” mendojnë edhe për të ardhmen, në mënyrë që të vijojnë rrugëtimin e tyre drejt triumfeve në Angli dhe pse jo në Europë, plani është i qartë. Largimi i Sergio Agueros do të lërë një boshllëk në sulm, por kjo nuk e shqetëson shumë ekipin e Guardiolës, që është gati për të bërë dy goditje fantastike.
Erling Haaland padyshim është ëndrra e madhe e “qytetarëve”. Sigurisht “lufta” do të jetë e madhe, pasi ka edhe klube të tjera si Real Madrid, Manchester United, apo Chelsea që e kërkojnë me ngulm sulmuesin norvegjez. City për shkak të tij së fundmi ka hequr dorë edhe nga transferimi i Messit. Numrat në fakt të Haaland janë vërtet të frikshme. Në 38 ndeshjet e fundit, ka shënuar plotë 39 gola. Një tjetër faktor që e ndihmon klubin e City-it është edhe ai sentimental. Babai i Haaland, Alfie, ka luajtur për tri sezone me “qytetarët”. Mosmarrëveshjet mes agjentit të tij, Mino Raiola dhe Guardiolës së fundmi janë shuar. Çmimi i tij do të jetë me një negociatë të gjatë, pasi kërkesa e Dortmundit është shumë e lartë, 180 milionë euro.
Operacioni Haaland sipas “The Sun” kap shifrën e 350 milionë eurove, teksa do të bëhet lojtari më i paguar në historinë e Premier League. Paga e norvegjezit do të shkojë rreth 36 milionë euro në sezon, teksa për 5 sezone arrin shifrën e 182 milionë eurove. City nuk do të ndalet me kaq, teksa në listën e dëshirave është dhe një mesfushor që po shkëlqen këtë sezon. Bëhet fjalë për Grealish, i cili është kapiten te Aston Villa dhe mosha 25 vjeç është një faktor që ka bërë që klubi anglez të mendojë për transferimin e tij, duke marrë në konsideratë faktin që Mahrez, Gundogan dhe de Bruyne janë mbi 30 vjeç. 50 milionë euro mund të jenë të mjaftueshme për ta rrëmbyer në fund të këtij sezoni, duke përforcuar së tepërmi mesfushën, që është një nga më të mirat në botë. /Rozalb Lika-Koha Jone/