Manchester City shumë i fortë për Liverpoolin, fiton me lehtësi në “Etihad”
Manchester City ka fituar bindshëm 3–0 ndaj Liverpoolit në super ndeshjen e javës së 11-të të Premier League, duke i dhënë Pep Guardiolës një arsye të dyfishtë për të buzëqeshur në ditën e pankinës së tij numër 1000 në karrierë.
City nisi më fuqishëm ndeshjen dhe, pas rishikimit të VAR-it, fitoi penallti në minutën e 10-të. Erling Haaland u paraqit nga pika e bardhë, por goditja e tij u ndal pa vështirësi nga Mamardashvili. Norvegjezi u hakmor 19 minuta më vonë, duke kaluar Cityn në avantazh me një goditje të saktë me kokë pas krosimit të Matheus Nunes.
Liverpool mendoi se barazoi në minutën e 38-të me Van Dijk, por festa u shua shpejt: goli u anulua për pozicion jashtë loje të Robertsonit. Në shtesën e pjesës së parë, City dyfishoi rezultatin. Nico Gonzalez lëshoi një goditje që u devijua nga Van Dijk, duke mposhtur për herë të dytë portierin e Liverpoolit.
Spektakli i Cityt nuk u ndal as në pjesën e dytë. Jeremy Doku, ndër lojtarët më të rrezikshëm në fushë, realizoi një supergol në minutën e 64-të, duke çuar rezultatin në 3–0 dhe duke vulosur fatin e sfidës. Me këtë fitore, Manchester City ngjitet në kuotën e 22 pikëve dhe rikthehet në -4 nga Arsenali kryesues. Për Liverpoolin vazhdon kriza: skuadra ka pësuar pesë humbje në gjashtë ndeshjet e fundit dhe mbetet me 18 pikë. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

