Manchester City turpëron United në derbi, fitore tenistike 6-3 në “Etihad Stadium” (VIDEO)
Manchester City është treguar i pamëshirshëm ditën e sotme, duke turpëruar Manchester United 6-3. Në “Etihad Stadium” skuadra e Guardiolës ishte në një ritëm jashtëtokësorësh, duke e zgjidhur ndeshjen që në pjesën e parë.
Foden zhbllokoi sfidën që në minutën e 8-të, ndërkohë që më pas do të ishte Erling Haaland që do të shënonte dy gola për tri minuta lojë. Në të 44-tën është sërish Phil Foden, që do të shënonte golin e katërt, duke bërë që shumë tifozë të United të braktisnin stadiumin.
Në fillimin e pjesës së dytë, Djajtë e Kuq do të shënonin golin e parë falë një eurogol të shënuar nga Antony. Gjithsesi City do të zgjohej sërish duke shënuar golin e 5-të me Erling Haaland që kompletoi tripletën personale, ndërkohë që pak minuta më vonë shembullin e tij e ndoqi dhe Foden që gjithashtu mori topin në shtëpi.
United do të reagonte disi në fundin e ndeshjes, duke shënuar dy gola me Anthony Martial, i cili do të përmirësonte statistikat e ekipit të tij. Me këtë fitore City ngjitet në vendin e dytë me 20 pikë, vetëm një më pak se Arsenali. /R.Lika-Koha Jonë/