Mane thumbon Guardiolën: Sjellje inteligjente që i tërhiqte vëmendjen arbitrit
Sadio Mane mori një karton të verdhë për simulim si dhe realizoi një gol në momentin e fundit të ndeshjes. Senegalezi ishte vendimtar në fushën e Aston Villas në javën e fundit të Premier League-s, ku suksesi 1-2, i arritur me përmbysje, i lejoi Liverpoolit të tij të mbante në distancë sigurie me 6 pikë ndjekësit e Manchester City-t në prag të ndeshjes direkte, në program pasditen e së dielës së ardhshme në “Anfield”.
Pep Guardiola duket se nuk e ka kapërdirë dot atë gol të Mane dhe përfitoi t’u dërgonte një mesazh rivalëve duke deklaruar: “Liverpuli ka fituar shpesh kështu, pasi ka një talent të veçantë. Ndonjëherë janë të zotët të hidhen, ndonjëherë shënojnë gola të pabesueshëm në minutën e fundit”.
Mane nuk u përmbajt, duke iu përgjigjur me sarkazëm sulmeve të trajnerit të Citizens pas suksesit europian kundër Genk në “Anfield”.
“Ishte inteligjente nga ana e Guardiolës të tërhiqte vëmendjen e Michael Olivier, që do të drejtojë ndeshjen. Unë do të mendoj vetëm për të luajtur futboll, siç bëj gjithmonë. Nuk u kushtoj vëmendje atyre që ka thënë Guardiola dhe nuk më japin asnjë motivim ekstra. Do të jap gjithçka për të ndihmuar skuadrën time.
Nëse do të ketë një penallti, do të vazhdoj të hidhem. Nëse rrëzimi sjell një penallti në favorin tim, do të bëj që kjo të ndodhë. Përse jo? Klopp tha diçka të drejtë. Unë nuk hidhem. Kundër Aston Villas pati kontakt në zonë. Arbitri më dha një karton kur mendoi që nuk ishte penallti. Nëse penalltia është, ma japin, nëse nuk është, nuk ma japin. Nuk kam asnjë problem, ky është futbolli. Nuk do të ndryshoj kurrë mënyrën time të të luajturit”, deklaroi Mane.