Marash Kumbulla, një nga 5 zbulimet e këtij sezoni në Seria A
Marash Kumbulla i ka impresionuar të gjithë në Seria A në këtë fillim sezoni. Mbrojtësi i kombëtares sonë cilësohet si një nga zbulimet më të mëdha në elitën e futbollit italian deri më tani së bashku me Sensi-n (Inter), Kulusevski (Parma), Castrovilli (Fiorentina) dhe Tonalin (Brescia). Portali “Esquire”, i ka dedikuar një shkrim 19-vjeçarit.
“Kush do ta kishte mendar se në fillimin e kampionatit, pas 7 javësh, mbrojtja e Veronës do të ishte e dyta që ka pësuar më pak gola. Skuadra e drejtuar nga Juric i ka befasuar të gjithë duke marrë 9 pikë deri më tani dhe duke e nxjerrë vetëm 5 herë topin nga rruga e rrjetës, dy prej tyre ndaj Juventusit në “Allianz Stadium”. Lideri i mbrojtjes është Marash Kumbulla, i lindur në Peschiera del Garda, me prindër shqiptarë, ai është rritur te të rinjtë e Veronës. Ishte shumë e vështirë të parashikohej një nisje të tillë për shkodranin, i cili sezonin e kaluar ka luajtur vetëm 16 minuta në Seria B.
Por pasi kaloi problemet fizike, Kumbulla arriti që të rifitojë besimin e Juric me cilësitë e tij: i strukturuar mirë, i fortë me kokë, shumë i saktë në ndërhyrjet e tij dhe mbi të gjitha me një personalitet të shkëlqyer, duke marrë në konsideratë faktin që është 19 vjeç dhe duket si veteran. Në javën e fundit Verona fitoi 2-0 ndaj Sampdorias, teksa mbrojtësi shqiptarë arriti që të shënonte me kokë.
Për të ishte goli i parë në Seria A, pas një kërcimi shumë të bukur”, shkruan portali italian duke mos i kursyer elozhet. Kumbulla pritet që të jetë shumë shpejt edhe lideri i kombëtares sonë, pasi ka një personalitet për t’u marrë zili dhe luan në kampionatin ku formohen mbrojtësit më të fortë në botë. Jo më kot De Ligt zgjodhi Juventusin. /Rozalb Lika-Koha Jone/