Maresca: PSG në majën e botës, por ne luajmë për ta fituar finalen!

Në prag të finales së Kupës së Botës për Klube, trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka dërguar një mesazh të qartë për kundërshtarin e tij, Paris Saint-Germain. Në konferencën për shtyp, tekniku italian e pranoi forcën e rivalëve, por theksoi se skuadra e tij është gati të japë maksimumin për të fituar trofeun.

“Sigurisht që PSG është një nga skuadrat më të forta në Europë dhe ndoshta më e mira në botë për momentin,” deklaroi Maresca. “Por çdo ndeshje është ndryshe. I respektojmë shumë dhe më pëlqen t’i shikoj, por jemi këtu për të luftuar dhe për ta fituar këtë finale.”

Maresca, i cili mori drejtimin e Chelseat verën e kaluar pasi u largua nga Leicester City, ka pasur një sezon të shkëlqyer me skuadrën londineze. Nën drejtimin e tij, Chelsea u rendit në vendin e katërt në Premier League, duke siguruar pjesëmarrjen në Champions League, dhe fitoi trofeun e Conference League.

Swiss Digital Desktop Reklama

Tani, finalja kundër një PSG-je që ka dominuar edhe në turneun në Amerikë, përfaqëson një tjetër sfidë të madhe për italianin. “Ka qenë një sezon fantastik. Për mua, suksesi më i madh është që një vit më parë askush nuk fliste për Chelsea-n në aspektin sportiv – përmendej vetëm për buxhetin dhe emrat e mëdhenj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sot, të gjithë flasin për mënyrën si luajmë, si fitojmë dhe si e ndërtojmë lojën tonë. Ky është triumfi më i madh personalisht për mua. Dhe shpresoj që të kemi edhe një tjetër trofe nesër,” përfundoi Maresca.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?