Marrin fund shpresat e Interit, Cancelo transferohet te Barcelona
Joao Cancelo do të vazhdojë karrierën te Barcelona. Ka marrë fund shpresa e Interit për ta veshur mbrojtësin portugez me fanellën zikaltër, pasi katalanasit kanë mbyllur marrëveshjen me Al Hilal.
Sipas burimeve pranë negociatave, Barcelona ka dërguar ofertën zyrtare dhe ka siguruar shërbimet e Cancelos në formën e huazimit, duke mbuluar një pjesë të pagës së lojtarit, rreth 4 milionë euro. Propozimi është pranuar nga klubi saudit, ndërsa vendimtare ka qenë zgjedhja e vetë lojtarit, i cili ka preferuar rikthimin në La Liga, pavarësisht sinjaleve të fundit që kishin ushqyer shpresat e Interit.
Edhe pse Cancelo kishte tërhequr vëmendje me një “like” në rrjetet sociale ndaj një postimi të Manuel Akanjit, gjest që u interpretua si afrim me ambientin zikaltër, në fund zgjedhja e tij ka qenë Barcelona.
Tashmë klubi katalanas ka afat deri të premten për t’i komunikuar federatës spanjolle shkëputjen e Andreas Christensen, i cili do të mungojë për të paktën katër muaj, dhe për të regjistruar një lojtar të ri me pagë sa 80% e asaj që përfiton mbrojtësi danez.
KOHA JONË SONDAZH

